Lidhje

SHBA: Fonde rekord të kandidatëve presidencialë


Periudha e parë e grumbullimit të fondeve për fushatën presidenciale për zgjedhjet e vitit 2008 përfundoi me një numër organizimesh, telefonatash dhe email-ash për kontribute të minutës së fundit. Në përfundim të tremujorit të parë, janar-mars, Kandidatja e partisë demokrate Hillary Clinton udhëheq grupin e atyre që kanë shpresë të bëhen presidentë, duke grumbulluar më shumë fonde – në atë që disa e quajnë rekord fondesh.

Me më pak se një vit para se të hidhen votat në zgjedhjet paraprake, kandidatët presidencialë nga të dyja partitë bënë një përpjekje të fundit për grumbullim fondesh në ditët e fundit të marsit. Bazuar në rezultatet e dhëna nga kandidatët individualë, analisti Matthew Dowd i partisë republikane thotë se shifrat janë mbresëlënëse. "Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë në histori një cilësi dhe sasi financimi e fushatës si kjo e tanishmja", thotë zoti Dowd.

Dhe duket se përpjekjet kanë dhënë rezultat për disa kandidatë. Senatorja Hillary Clinton nga New Yorku grumbulloi 26 milion dollarë në vetëm 10 javë – gati dy herë më shumë sesa rivali i saj në partinë demokrate John Edwards që ka grumbulluar 14 milion.

Për republikanët, ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudy Guliani grumbulloi 15 milion dollarë, por ai është prapa ish guvernatorit të Massachusetts Mitt Romney që deklaroi se ka grumbulluar 23 milionë dollarë.

Michael Toner, ish kryetari i Komisionit Federal për Zgjedhjet, thotë se megjithëse shumë faktorë mund të ndryshojnë situatën, gara për grumbullimin e fondeve është një tregues i rëndësishëm që tregon mbështetjen e votuesve. "Ndryshimi midis grumbullimit të 15 milionëve nga 20 milionët mund të jetë shumë i madh përsa i takon perceptimit publik, sa e fuqishme është kandidatura në fjalë".

Por disa ekspertë tërheqin vëmendjen për të mos i vlerësuar aq shumë shifrat në këtë fazë. Një nga ndryshyesit e fushatës financiare Fred Wertheimer: "Çdo gjë mund të ndryshojë në gjashtë apo nëntë muajt e ardhshëm", thotë zoti Wertheimer.

Senatori John McCain konsiderohej dikur të ishte kandidatura më e fortë e republikanëve. Por nuk ndodhi siç pritej kur grumbulloi vetëm 12 presje 5 milion dollarë – që për vite më parë mund të ishte shumë domethënëse. Metthew Dowd thotë se çdo gjë varet nga pritshmëria. "Në se nuk i tejkalon parashikimet, është problem i madh. Në se i tejkalon ato, do të kesh një ditë të mirë", thotë zoti Dowd.

Një kandidat tjetër që përballet me pritshmërinë e lartë është senatori demokrat Barack Obama i cili nuk i ka publikuar ende fondet e grumbulluara të fushatës së tij. Kandidatët kanë kohë deri më 15 prill për të deklaruar fondet. Por organizuesit e fushatave thonë se grumbullimi i fondeve ka filluar qysh tani për tremujorin tjetër. //rd//

XS
SM
MD
LG