Lidhje

Bashkitë në Shqipëri marrin kompetencat e policisë ndërtimore


Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot si të dështuara përpjekjet e Policisë Ndërtimore për të kontrolluar territorin dhe për të frenuar ndërtimet e paligjshme, duke deklaruar se këtej e tutje këto detyra i kalojnë pushtetit vendor.

Qeveria diskutoi sot disa ndryshime në ligjin për urbanistikën, në qendër të të cilave është kalimi i këtyre kompetencave tek organet e pushtetit vendor. "Ne sot vendosim krijimin e institucioneve të reja në bashki, komuna dhe qarqe; ato janë Inspektoriatet e Ndërtimit. Këto funksione i ka kryer deri tani në mënyrë të dështuar Policia e Ndërtimit" - tha kryeministri Berisha. Ai thotë se inspektoriatet e ndërtimit do të rivendosin pushtetin mbi territorin të bashkive dhe komunave të cilat janë përgjegjësit direkt për administrimin e territorit të vendit. "Jo në çdo rast kjo metodë ka një sukses i sigurtë, por kjo është rruga në të cilën ne duhet të ecim. ndaj kam kënaqësinë të njoftoj se bashkitë dhe komunat do të kenë inspektoriatet e tyre të ndërtimit" - deklaroi zoti Berisha.

Qeveria diskutoi edhe për zbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës. Gjykata i dha të drejtë Bashkisë së kryeqytetit në ankesën që mbledhjet e Këshillit të Rregullimit të Territorit nuk nuk mund t'i organizojë prefektura, siç pretendoi qeveria.

Pushteti vendor dhe qeveria kanë debatuar gjatë mbi nevojën që sa më shumë kompetenca të kalojnë në organet e pushtetit vendor. Policia ndërtimore dhe pushteti vendor kanë patur shpesh edhe situata konfliktuale. Bashkitë kanë kërkuar gjithmonë të kenë më shumë fuqi në administrimin e territorit, i cili gjatë viteve është mbushur me një mori ndërtimesh të paligjshme dhe të parregullta me shkeljen masive të ligjeve urbanistike dhe rrëmbim pronash të pronarëve të ligjshëm dhe një mori konfliktesh të dhunshme mes palëve. Jo zyrtarisht mendohet se në të gjithë vendin gjenden rreth 300 mijë ndërtime të paligjshme, për të cilat ka patur edhe një periudhë të vetdeklarimit, përpara procesit të legalizimit. //rd//

XS
SM
MD
LG