Lidhje

BE-ja vazhdon përpjekjet për misionin e ardhshëm në Kosovë


Përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë theksuan sot përgatitjet që po vazhdojnë për misionin e ri ndërkombëtar, i cili do të duhej të vendosej pas miratimit të një rezolute të re nga Këshilli i Sigurimit. Ata u thanë gazetarëve në Prishtinë se Bashkimi Evropian po punon për një zgjidhje të hershme në Këshillin e Sigurimit.

Torbjorn Solstrom, përfaqësuesi i posaçëm i Komisionerit të lartë Evropian në Kosovë, Havier Solana dhe Kasper Klunge, shef i misionit planifikues të BE-së në Kosovë, theksuan sot në Prishtinë, se BE-ja vazhdon përgatitjet për misionin e ri ndërkombëtar në Kosovë.

Zoti Solstrom theksoi se BE-ja mbështet plotësisht kryenegociatorin Marti Ahtisari, i cili ka propozuar pavarësi të mbikqyrur për Kosovën dhe presidenca gjermane e BE-së ka mbështetur plotësisht propozimin e zotit Ahtisari. “Ky është një proces i vështirë, sigurisht ka edhe pak punë për tu bërë, por jemi optimistë dhe po punojmë si BE për një zgjidhje të hershme në Këshillin e Sigurimit”, tha zoti Solstrom.

Zoti Solstrom nënvizoi se prania e re ndërkombëtare do të jetë në Kosovë për të mbikqyrur, dhe jo për të administruar apo qeverisur Kosovën.

Shefi i misionit planifikues të BE-së në Kosovë, Kasper Klunge, theksoi përgatitjet që po bëhen për misionin e ri. “Ajo që ne kemi thënë qartë nga ana e Bashkimit Evropian është se ne do të jemi gati sapo të bihet dakord për rezolutën një Nju Jork, që të fillojmë misionin e BE-së në fushën e sundimit të ligjit dhe ngritjen e zyrës civile ndërkombëtare këtu në Kosovë”, tha zoti Klunge. Përfaqësuesit e BE-së shprehën kënaqësinë për angazhimin e autoriteteve vendase për të plotësuar të gjitha pikat e marrëveshjes së zotit Ahtisari. //rd//

XS
SM
MD
LG