Lidhje

Presidenti Moisiu kërkon bashkëpunim për reformën e gjyqësorit


Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, deklaroi sot se ndërhyrjet e politikës kanë dëmtuar forcimin e sistemit gjyqësor.

Ai u bëri thirrje gjithë institucioneve shtetësore që të bashkëpunojnë ngushtë në reformmin e drejtësisë, sipas një platforme që zoti Moisiu publikoi sot. "Gjatë kohës sime në detyrën e Presidentit të Republikës, vazhdimisht i kam kërkuar institucioneve përkatëse hartimin e një strategjie afatgjatë të reformave që duhen ndërmarrë për përmirësimin e pushtetit gjyqësor. Duke parë se në këtë drejtim nuk po merreshin nisma serioze gjë që shpesh na ka çuar në demagogji sesa në zgjidhje, e gjykova të arsyeshme që puna ime të mos kufizohej vetëm me kërkesën time por të punohej për hartimin e një dokumenti bazë se si duhet ecur më tej". Zoti Moisiu i bëri këto komente gjatë një takimi me studentët e shkollës së magjistraturës, ku shpjegoi në detaje strategjinë e përgatitur për reformimin e drejtësisë shqiptare.

Ai tha se politika ka keqpërdorur nevojën për reformim të sistemit gjyqësor në vend. "Vetëm duke patur një vizion të qartë për objektivin dhe rrugët që duhen ndjekur për të arritur të kemi një pushtet gjyqësor të nivelit të duhur, do të bëhet e mundur të evitohen ndërhyrjet kaotike, voluntariste, dhe të ashtuquajtura reformatore, që shpesh kemi vërejtur të ndodhin këto vite". Nga ana tjetër, Presidenti Moisiu nuk i kurseu vlerësimet për punën e drejtësisë shqiptare, për rritjen e profesionalizmit të gjyqtarëve. "Standarti i dhënies së drejtësisë vjen çdo vit në rritje, kushtet e dhënies së saj janë në vazhdimësi duke u përmirësuar. Sot kemi gjykata dinjitoze, kemi gjyqtarë që punojnë me përkushtim për dhënien e drejtësisë, kemi më shumë profesionalizëm dhe bëhen më pak gabime se më parë". Në të gjitha sondazhet dhe studimet e kryera, drejtësia shqiptare vlerësohet nga qytetarët si një nga institucionet më shumë të korruptuara, ku paaftësia dhe rryshfetet dhe presionet janë të përhapura gjerësisht në të gjitha nivelet.

Qytetarët e perceptojnë sistemin gjyqësor në të gjitha hallkat, si një nga sektorët më shumë të prekur nga abuzimi me pushtetin, përfitime të paligjshme dhe ndarje sistematike të rryshfeteve midis prokurorëve, gjyqtarëbe dhe avokatëve. //rd//

XS
SM
MD
LG