Autoritetet në Bosnje-Hercegovinë kanë arrestuar dy ish ushtarë myslimanë të Bosnjes, të akuzuar për akte mizore kundër civilëve kroatë gjatë konfliktit ballkanik të viteve 90-të.
Policia arrestoi Enes Handzic dhe Senad Dautovic në qytetin Bugojno në qendër të Bosnjes. Autoritetet nuk dhanë hollësi për akuzat kundër këtyre dy personave.
Luftime të ashpëra shpërthyen mes kroatëve dhe myslimanëve të Bosnjes në vitin 1993, megjithëse të dy palët kishin qënë aleatë kundër forcave serbe gjatë konfliktit.
Ndërkohë, autoritetet kroate ngritën akuza kundër një deputeti dhe gjashtë personave të tjerë të akuzuar se kanë lidhje me vrasjen e 10 civilëve serbë në fillim të viteve 90.
Prokurorët thonë se gjatë konfliktit që mori shkas nga shkëputja e Kroacisë nga ish Jugosllavia, një njësi paraushtarake e komanduar nga Branimir Gllavas, i ndaloi, torturoi dhe i vrau civilët në qytetin Osijek të Kroacisë lindore duke i hedhur kufomat e tyre në një lumë.
Gllavas, i cili ishte komandant i mbrojtjes rajonale në Kroacinë lindore në vitin 1991, u mor në arrest në tetor të vitit të kaluar. Ai u kundërpërgjigj me një grevë urie dhe u lirua pas keqësimit të rëndë të shëndetit.
Deputeti ka qenë anëtar i partisë në fuqi, Bashkimi Demokratik Kroat por u përjashtua prej saj për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Ai i ka mohuar akuzat kundër tij të cilat i ka quajtur të motivuara politikisht. //ze//