Lidhje

Burns: Pothuajse i kemi votat në Keshillin e Sigurimit për Kosovën


Ndihmësekretari amerikan i Shtetit Nikolas Burns tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane i kanë votat e mjaftueshme për të siguruar miratimin në Kombet e Bashkuara të një rezolute e cila do ta vinte Kosovën në rrugën e pavarësisë. Në një takim të organizuar mbrëmë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.në Uashington, numri tre i Departamentit amerikan të Shtetit tha se gjatë muajit maj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të ketë një lëvizje shumë të shpejtë drejt një rezolute të tillë.

Në takim, zoti Burns i bëri një përshkrim procesit që pritet ta verë Kosovën në rrugën e pavarësisë. "Gjatë muajit të ardhshëm besoj se do të shikoni një lëvizje shumë të shpejtë drejt një rezolute e cila do të krijojë një proces që do të çojë në pavarësinë e Kosovës. Ambasadorët e Këshillit të Sigurimit kanë vendosur që kjo çështje është tepër e rëndësishme dhe prandaj javën e ardhëshme ata do të bëjnë një udhëtim në Bruksel, për t’u takuar me NATON dhe me Bashkimin Evropian, dy institucionet që kanë aq shumë për të mbështetur popullatën kosovare gjatë 8 viteve të fundit. Pastaj ata do të shkojnë në Beograd për t’u takuar me Presidentin Tadiç dhe kryeministrin Koshtunica dhe më në fund në Prishtinë për t’u takuar me Presidentin Sejdiu dhe me kryeministrin Çeku si dje me parlamentin dhe udhëheqësit shqiptarë dhe serbë të Kosovës."

Pas këtij udhëtimi, tha zoti Burns, do të ketë një periudhë të shkurtër kohe para se Shtetet e Bashkuara të paraqesin së bashku me disa vende të tjerë një rezolutë e cila në fakt do të shfuqizonte rezolutën 12-44 të qershorit 1999 dhe kjo do të krijonte kushtet për një sistem të mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në të ardhmen. Bashkimi Evropian, tha ai, ka marrë përsipër vullnetarisht të drejtojë një mision civil në Kosovë. Natoja ka rënë dakord të qendrojë në Kosovë dhe kjo do të thotë se edhe trupat amerikane do të vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë deri sa të zgjasë ky mision pra deri të mos jenë më të nevojshme.

Nënsekretari amerikan i Shtetit tha se qysh tani Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane pothuajse i kanë votat e mjaftueshme në Këshillin e Sigurimit: "Pas disa javë debatesh, Shtetet e Bashkuara do ta hedhin rezolutën për votim. Mendoj se jemi pranë një pike kur ne kemi tashmë vota të mjaftueshme për ta kaluar këtë rezolutë që sot nëse do të vendosnim ta hidhnim në votë sot. Natyrisht ne nuk do ta bëjmë këtë tani por kjo sa për të krijuar një ide rreth mbështetjes së gjerë ndërkombëtare që gëzon një vendim i tillë."

Shtetet e Bashkuara tha ndihmës sekretari i shtetit, shpresojnë se Serbia do ta kuptojë se Amerika dëshiron një të ardhme pozitive për të. Ne nuk dëshirojmë, tha zoti Burns, që ky vendim shumë i dhimbshëm dhe i vështirë për pavarësinë e Kosovës të prishë mundësinë e marrëdhënieve të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Zoti Burns u bëri thirrje udhëheqsve të Kosovës që të tregohen të përgjegjshëm në qendrimin e tyre ndaj pakicës serbe: "Ndërsa populli i Kosovës mund të gëzohet për faktin që do të jetë së shpejti i pavarur, tha zoti Burns, ai do të ketë disa përgjegjësi. Serbët e Kosovës kanë jetuar atje për mbi 1000 vjet. Kosova është një vend me rëndësi të jashtëzakonshme historike për serbët. Ne vazhdojmë t’u themi udhëheqësve shqiptarë të Kosovës se është përgjegjësi e tyre që jo vetëm të jenë tolerantë ndaj të gjitha pakicave e sidomos ndaj serbëve, por t’i përqafojnë ata dhe t’u thonë atyre se ata kanë jo vetëm të drejtën për të jetuar atje por edhe të jenë pjesë me të drejta të plota e qeverisjes. Kjo është një përgjegjësi shumë e rëndësishme për udhëheqjen shqiptare të Kosovës."

Ai i bëri thirrje udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës që të garantojë se në rrugët e Kosovës do të ketë paqe, se nuk do të ketë provokime ose demonstrata kundër serbëve, se nuk do të ketë sulme kundër kishave serbe, shtëpive serbe ose civilëve serbë: “Jam i sigurt se nëse në Kosovë do të ketë provokime si ato të marsit 2004, tha zoti Burns, NATO-ja do t’i shtypë këto demonstrata nëse janë të dhunshme dhe do të mbrojë popullsinë pakicë të Kosovës.”

Ne e dimë, tha zoti Burns se Rusia nuk është e kënaqur me idenë e Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të tjera për të dalë me një rezolutë në mbështetje të procesit që do të çojë në pavarësi. "Por ne nuk kemi asnjë dyshim se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër. Çdo alternativë tjetër do të shoqërohej me një rrezik shumë të madh për dhunë. Ndërsa ky opsion është rruga më e sigurt drejt paqes, ruajtjes së qendrueshmërisë dhe drejtësisë."

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, tha zoti Burns, kanë mbajtur pjesën më të madhe të përgjegjësisë ndërkombëtare, duke dërguar trupa e tyre atje, duke i mbajtur ato atje, duke dhënë mbështetje ekonomike si dhe politike. Prandaj, kur vendet e Këshillit të Sigurimit të mendohen nëse do të votojnë në favor, do të abstenojnë apo do të kërcënojnë me veto, komuniteti ndërkombëtar duhet të na gjykojnë ne nga kontributi që kemi dhënë dhe që jemi të gatshëm të japim.

Duke bërë aluzion për një veto të mundëshme të Rusisë, zoti Burns u shpreh se kjo do të thotë që t’i kërkosh Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe ushtarëve tanë në terren të marrin të gjithë përgjegjësinë për situatën shumë të vështirë që mund të krijohej në një rast të tillë. "Mendoj se ky mesazh i përbashkët i Evropës dhe i Shteteve të Bashkuara se ne kemi qenë atje, ne kemi dhënë kontribut dhe ne jemi gatë të marrim përgjegjësinë, pra ky mesazh ka filluar të ketë ndikim tek disa nga vendet jo të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit si dhe me ato vende anëtare të përhershme të cilat nuk e kanë patur një përkushtim të tillë gjatë 10 viteve të fundit dhe që vështirë se do ta kenë në 10 vitet e ardhshëm."

Ky, tha Nensekretari amerikan i Shtetit, është një mesazh i rëndësishëm për ato vende që janë të lëkundura ose që po mendohen se si do të votojnë në muajin maj kur çështja e Kosovës të hidhet në votë në Këshillin e Sigurimit.

Zoti Burns tha se ndarja e mundëshme e veriut të Kosovës për të cilën flitet në disa qarqe, nuk do të lejohet: "Nëse supozojmë se do të binim dakord për ndarjen e një pjese të Kosovës, atëhere ndarjet nuk do të kishin fund. Nëse do të arrihej një marrëveshje e veçantë për Mitrovicën, atëhere çdo të ndodhte me Serbinë jugore, cili do të ishte ndikimi mbi Maqedoninë që është shtet shumetnik, mbi Shqipërinë apo mbi Greqinë që është aleate e NATO-s? Pra, pretendimet territoriale nuk do të kishin fund nëse hapej kjo kuti e Pandorës."

Nndihmessekretari i Shtetit tha se ekziston marrëveshje absolute mes vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara se nuk do të merret parasysh asnjë ide për ndryshim kufijsh, pra asnjë propozim për ndarje si pjesë e një zgjidhjeje për Kosovën. //ii

XS
SM
MD
LG