Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve dëgjon seancë dëshmish për Kosovën


Numri tre i Departamentit amerikan të Shtetit, Nicholas Burns, dëshmoi dje para Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, ku mbështeti me forcë rekomandimet për pavarësinë e Kosovës, nga Serbia, të propozuara nga i dërguari i OKB-së, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Barry Wood e ndoqi seancën në Kongres dhe përgatiti këtë material:

Zoti Burns tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do t’i miratojë procedurat që do të çonin në pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian shpresojnë që Rusia, që është aleate e Serbisë, nuk do të verë veton për bllokimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit.

"Kuptoj që i kemi votat e mjaftueshme për të siguruar shumicën në Këshillin e Sigurimit. Prandaj, edhe shpresojmë që asnjë nga anëtarët e përhershëm nuk do të mund të ushtronin të drejtën e vetos dhe do ta lejonin procesin të shkonte përpara."-tha zoti Burns.

Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës, që u vu nën kontrollin e OKB-së pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund shtypjes së popullsisë shqiptare prej saj. Zoti Burns tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, që janë partnerë në stabilizimin e Kosovës, kanë vendosur që pas 8 vjetësh nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, ka ardhur koha që Kosova të ketë një pavarësi të mbikqyrur.

"Ne jemi tashmë të bindur, se mundësia për dhunë do të ishte e madhe, në se procesi vonohet. Sepse 92-94 për qind e popullsisë së Kosovës janë shqiptarë myslimanë dhe ata kanë një kohë tepër të gjatë që presin për zgjidhjen e statusit." - tha ai.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Lantosh, i cili ka lindur në Hungari, po ashtu e mbështeti pavarësinë dhe e theksoi pikëpamjen e tij, duke ju referuar vazhdimisht Kosovës, ashtu sikurse thonë shqiptarët, Kosova dhe jo Kosovo. Ai tha se ngaqë plani i zotit Ahtisari kërkon kushte të forta sigurie për serbët, prej tij do të përfitojë edhe vetë Serbia. Ligjvënësi demokrat Lantosh tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës i dërgon një mesazh të fuqishëm pozitiv vendeve myslimane dhe atyre arabe.

"Në këto momente, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht krijimin e një shteti me shumicë myslimane në zemër të Evropës,- tha ai.

Por ligjvënësi republikan Dan Burton, një tjetër anëtar i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, e kritikoi planin Ahtisari, duke thënë se pavarësia e Kosovës mund të ketë pasoja negative. Ai ju drejtua zotit Burns:

"Në se ne imponojmë pavarësinë dhe e kalojmë propozimin në Këshillin e Sigurimit, ashtu sikuse thoni ju, dhe pastaj gjendja atje del nga kontrolli, çfarë do të bëjmë në atë rast?"

Zoti Burns tha se ndërsa një pjesë e serbëve mund të largohen nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë, ai ka besimin se paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja, të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë pas statusit, do të ruajnë gjendjen e sigurisë atje. Zoti Burns tha se gjatë javëve të ardhshme, Shtetet e Bashkuara do t’i paraqesin Këshillit të Sigurimit rezolutën, e cila do t’i hapë rrugën pavarësisë së Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG