Lidhje

Vdes ish presidenti rus Boris Jelcin


Ish Presidenti rus, Boris Jelcin, shëndeti i të cilit ka qënë në rënie për disa vjet radhazi, vdiq sot në moshën 76-vjeçare. Zoti Jelcin ishte President i Rusisë nga viti 1990 deri sa dha papritur dorëheqjen më 31 dhjetor të vitit 1999. Gjatë gjithë atyre viteve ai udhëhoqi vendin në një nga periudhat më të trazuara në histori.

Më 20 gusht 1991, Boris Jelcini hipi mbi një autoblindë dhe po në atë moment hyri edhe në librat e historisë. Zëri kumbues i Presidentit të sapozgjedhur duket se i bashkoi dhe i frymëzoi rusët. Qendrimi i tij sfidues atë ditë i dha një goditje të fortë përpjekjes së komunistëve të vijës të fortë për grusht shteti kundër udhëheqësit sovjetik, Mikhail Gorbaçov. Ai shënoi gjithashtu edhe fillimin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Vetëm katër muaj më pas, Zoti Gorbaçov kishte dhënë dorëheqjen, Bashkimi Sovjetik nuk ekzistonte më dhe Boris Jelcini kishte dalë si udhëheqës i Rusisë së pavarur.

Ngritja e Boris Jelcinit në pushtet pati një fillim të thjeshtë. Ai lindi në një familje fshatare në një kasolle me dy dhoma në një fshat të zymtë të Maleve Ural në afërsi të qytetit Sverdlovsk, që tani njihet si Jekaterinburg. Ai asnjëherë nuk e humbi lidhjen me shtresën e tij, por në fakt kultivoi imazhin e mbrojtësit të popullit.

Gjatë periudhës së ngritjes së tij në radhët e Partisë Komuniste, ai flaku privilegjet e zakonëshme të pushtetit, duke udhëtuar me autobuzët dhe metrotë e mbushuara plot, në vent që të udhëtonte me veturën dhe shoferin e tij personal.

Por ajo që e bëri zotin Jelcin popular, e vinte atë shpesh kundër udhëheqjes sovjetike. Në tetor të vitit 1987, në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, ai kritikoi Mikhail Gorbaçovin dhe reformat e tij të "perestroikës" si fjalë të shumta pa rezultat. Kritika e tij nuk u prit mirë. Ai u ndëshkua publikisht dhe u shkarkua nga postet partiake, megjithatë u ngrit sërish.

Në qershor të vitit 1991, zoti fitoi në zgjedhjet e para popullore presidenciale të Rusisë. Dy muajmë vonë, qendrimi i tij heroik mbi tank përforcoi imazhin e tij si promotor i ndryshimeve. Por me kalimin e viteve, ndjenjat e rusëve për “babanë e demokracisë ruse”, siç e quanin ata Jelcinin, u luhatën mes admirimit dhe urrejtjes. Megjithë angazhimin e tij ndaj demokracisë, ai ruajti instinktet e tij autoritare të burokratit të stilit të vjetër komunist, për të arritur qëllimet duke përdorur forcën.

Në vitin 1993, Presidenti Jelcin shfuqizoi kushtetutën e periudhës sovjetike dhe shpërndau parlamentin. Ligjvënësit e vijës së fortë dhe përkrahësit e tyre rezistuan. Ai u përgjegj duke dislokuar tanket pranë ndërtesës të parlamentit për të shtyput revoltën e tyre.

Një vit më vonë, zoti Jelcin dha një urdhër që do të çonte në gjakdershje. Ai u dha urdhër trupave të ndërhynin në rajonin e Çeçenisë për të shtypur lëvizjen separatiste. Më shumë se 75 mijë vetë, shumica civilë, u vranë. Ndërkohë që lufta iu afrua një fundi shkatërrimtar dhe trupat ruse u tërhoqën, ai e cilësoi atë zhgënjimin më të madh të presidencës së tij.

Dështimi i luftës së bashku me dështimin e ekonomisë duket se i sollën fundin karierës politike të Boris Jelcinit. Por ashtu siç kishte bërë edhe shumë herë të tjera, ai iu përgjegj sfidës në zgjedhjet presidenciale të vitit 1996, duke fituar ndaj rivalit të tij komunist me një shumicë të mirë votash.

Vetëm disa ditë para zgjedhjeve, ai pati një goditje në zemër dhe më pas bëri një operacion të vështirë në zemër me shumë bajpase, gjë që e bëri të qendronte mënjanë për më shumë se gjashtë muaj. Ai u kthye në detyrë me fuqi të përtërira, por kërkesat e punës dhe paaftësia për të lënë pijet alkoolike, shpejt e bënë të paaftë për të vazhduar më tej dhe shpesh gjykimi i tij ishte i turbullt.

Ai ndërmori një sërë ndryshimesh në qeveri, duke ndryshuar kryeministrat në mënyrë tekanjoze. Ndërkohë që mandati i tij presidencial po shkonte drejt fundit, ai mbeti pothuajse një figurë simbolike, por pati një surprizë të fundit për Rusinë.

Në prag të Vitit të Ri 1999, vetëm 6 muaj para përfundimit të mandatit të tij presidencial, ai dha dorëheqjen duke ia kaluar presidencën Kryeministrit të tij, Vladimir Putin, personin që kishte zgjedhur për t'i zënë vendin.

Për një farë kohe u duk se trashëgimia e Boris Jelcinit si babai i demokracisë ruse u trondit nga rënia e tij politike dhe shëndetsore. Por kur ai u largua nga detyra, opinioni për të u zbut.

Reputacioni i tij mund të ketë mbetur ende i dëmtuar për shkak të gafave të viteve të tij të fundit në detyrë, por ajo që mbetet ende e gjallë në kujtesën e njerëzve është Boris Jelcini i hipur në tank, duke sfiduar komunistët dhe ndihmuar Rusinë të flakte tej të kaluarën sovjetike. //iç//

XS
SM
MD
LG