Lidhje

Klark: Kosova, pjesë e korrigjimit të një gabimi historik


Intervistë e ish-komandantit të NATO-s, Uesli Klark, gjatë ndërhyrjes së Aleancës mbi ish-Jugosllavi

Zëri i Amerikës: Gjeneral Klark, si sot 8 vjet më parë, në prill 1999, ju ishit në krye të trupave të NATO-s me mision në Kosovë. A e kishit menduar atëherë se edhe sot pas 8 vjetësh Kosova nuk do të kishte një status përfundimtar të saj?

Uesli Klark: Jam shumë i zhgënjyer që bashkësia ndërkombëtare nuk e ka zgjidhur ende çështjen e statusit përfundimtar për Kosovën. Eshtë e padrejtë për të gjithë popullin në Kosovë, dhe pa një rezolutë për këtë çështje, investimet e huaja nuk mund të veprojnë, privatizimet nuk mund të ecin përpara në një mënyrë të efektshme. Njerëzit kështu nuk mund të fillojnë një jetë normale në Kosovë. Nuk është e drejtë për më tepër se 2 milionë njerëz që jetojnë atje, që vendi i tyre mbetet si një lojë futbolli politik, në mënyrë që Rusia të luajë politikat e veta në rajon. Të gjitha masat nevojitet të merren që të mbrohen të drejtat e pakicave në Kosovë, dhe mendoj se shumica shqiptare e kupton këtë shumë mirë. Mendoj se propozimi i zotit Ahtisari është një propozim i mirë për të lëvizur në drejtim të pavarësisë dhe për të provuar që të drejtat e pakicave do të respektohen. Mendoj se tani është koha që bashkësia ndërkombëtare, Europa dhe Rusia ta pranojë dhe të ecet përpara në këtë çështje. Eshtë koha që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta miratojë propozimin e zotit Ahtisari. Derisa është një ide e mirë, atëherë le ta bëjnë këtë. Me këtë propozim ofrohet siguri dhe mbrojtje për të drejtat e pakicave; dhe kjo është gjëja e duhur, dhe një prani ndërkombëtare për siguri në rajon, dhe më pas Kosova do të bëhet krejtësisht e pavarur; mendoj se kjo është rruga më e arsyeshme.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Klark, si i shihni përpjekjet e Rusisë në periudhën e fundit lidhur me çështjen e Kosovës dhe debatet për statusin e saj?

Uesli Klark: Rusia është një vend që gjithmonë dëshiron të ketë një zë në çështjet që diskutohen. Çështja është se si zëri i Rusisë përfshihet me zërin e Europës. Mendoj se ky është problemi. Rusia shpreh mendimet e saj dhe vendet e Europës do të shprehin mendimet e tyre. Kjo është pjesë e korrigjimit të një gabimi historik. Populli shqiptar i Kosovës ishte i shtypur nën një regjim kolonial, mizor në një mënyrë të pabesueshme sa i takon shkeljes së të drejtave njerëzore nga qeveria e Sllobodan Milosheviçit. Askush nuk po e dënon këtë, sado tragjike ishte ajo periudhë, sepse tani është koha të shikohet përpara nga e ardhmja. Rruga më e mirë për të ndjekur është që të vendoset një pavarësi politike, sipas drejtimeve që përcakton propozimi i zotit Ahtisari. Dhe më vonë me themelimin e sigurisë dhe me rritjen e vetërespektit nga ana e popullatës, atëherë mund të ringrihet integrimi ekonomik midis vendeve të Ballkanit. Serbia është një gur themeli në Ballkan, dhe do të bëhet një lojtar shumë i rëndësishëm; gjithkush respekton energjitë, entuziazmin, shkollimin dhe aftësitë e popullit serb. Edhe unë po ashtu. Unë mirëpres pjesëmarrjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare dhe u bëj thirrje popullit dhe udhëheqësve serbë që të ecim përpara së bashku, duke pranuar propozimin e zotit Ahtisari dhe le t'i japim njerëzve një shans që të realizojnë ëndrrat e tyre, por duke ndaluar rindezjen e problemeve të vjetra nga e kaluara.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Klark, si e vlerësoni gjendjen e qëndrueshmërisë në Ballkan dhe sa varet ajo nga Kosova?

Uesli Klark: Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar tashmë se luftërat duhet të mbeten prapa në të kaluarën e Europës. Shpresojmë që ato të mbeten përgjithmonë si gjëra të së kaluarës dhe kurrë të mos rikthehen në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Gjeneral Klark, cili do të ishte mesazhi juaj për udhëheqësit dhe politikanët e Kosovës aktualisht?

Uesli Klark: Jam takuar me kryeministrin Çeku dhe ekipin e tij vitin e kaluar. Më lanë përshtypje të mira dhe mendoj se janë në rrugën e duhur. Mendoj se sfida tani është që të lëvizet shpejt me statusin përfundimtar dhe të punohet për shndërrimin ekonomik, për t'u dhënë mundësi të gjithëve për të patur një fillim. Pa zgjidhjen e atij problemi politik, është shumë e vështirë që të tërhiqen investimet e huaja, dhe rritja ekonomike është mëse e nevojshme. Le të shohin se çfarë po ndodh këtu në Shqipëri; është absolutisht e mrekullueshme. Kjo mund të ndodhë edhe në Kosovë, por nuk mund të bëhet me të njëjtën shtrirje, për shkak të çështjeve të pazgjidhura. Eshtë koha që bashkësia ndërkombëtare të ulet gjithë së bashku, të marrë vendimet e duhura, dhe të lëvizet përpara. //rd//

XS
SM
MD
LG