Lidhje

Pjesëmarrës nga 50 vende u mblodhën në Houston të Teksasit për Konferencën e 25-të Botërore të Porteve


Më shumë se një mijë pjesëmarrës nga 50 vende u mblodhën në Houston këtë javë për Konferencën e 25të Botërore të Porteve, e cila përfundon sot. Konferenca është financuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Porteve. Pjesëmarrësit po diskutojnë mbi rrugët për të përballuar sfidat e reja në kushtet e rritjes së tregëtisë që vë në ngarkesë të madhe portet.

Zgjerimi i tregtisë në mbarë botën, varet nga industria e transportit për të lëvizur mallrat dhe produktet nga njëri port në tjetrin. Por përballimi i kërkesave për anije dhe mjete të tjera detare po vështirësohet. Banka Botërore parashikonte më parë se midis vitit 2000 dhe 2010, ekonomia botërore do të rritej 33 përqind, nga 30 trilion në 40 trilionë dollarë në vit. Por qysh në vitin 2004, ekonomia botërore i kaloi të 42 trilionë dollarët në vit.

Kjo rritje e madhe shton presionin mbi ata që janë përgjegjës për mbajtjen, vënien në veprim dhe zgjerimin e porteve në mbarë botën. Një prej tyre është Thomas Kornegay, drejtori ekzekutiv i Portit të Houstonit dhe presidenti i shoqatës së porteve. Ai thotë se kjo konfencë i ka dhënë mundësi të krahasojë me homologët e tij nga mbarë bota shifrat e parashikimeve të tregëtisë botërore.

"Ne flasim për zgjerimin e tregëtisë, si po ndodh ajo, çfarë parashikohet dhe të gjithë përpiqemi të gjejmë mënyra për të përballuar situatën. Të gjithë bëjmë parashikime pasi asnjë nuk e di të ardhme por thjesht mundohemi të marrim me mend se ku po shkojmë".

Kornegay thotë se mbrojtja e porteve dhe e ngarkesave në to nga terroristët dhe kriminelët ka qënë e kushtueshme por portet kanë mundur të përmirësojnë sigurinë pa ndërprerë rrjedhën e tregëtisë. Ai thotë se një sfidë më e madhe tani është plotësimi i kërkesës – veçanërisht në Shtetet e Bashkuara ku regullat dhe proceset e miratimit nga qeveria e ngadalësojnë zhvillimin.

"Po flisja mbrëmë me drejtorin e portit të Shangait dhe brenda katër vjetësh ai ka ndërtuar 7 kalata, kurse unë kam ndërtuar vetëm dy për 7 vjet. Kjo besoj se nuk ka nevojë për shpjegim".

Përveç fjalimeve dhe diskutimeve nëpër komisione, në Konferencën Botërore të Porteve ka edhe një ekspozitë ku kompanitë e ndryshme reklamojnë shërbimet e tyre dhe shumë vende reklamojnë portet. Një nga eksponatet më të mëdha është ai i Koresë së Jugut, e cila përfaqësohet në konferencë me më shumë se 20 zyrtarë të porteve të saj të ndryshëm.

Ja ç’thotë përfaqësuesja e portit të Pusanit, Jin-sun Shin:

"Kemi ardhur këtu për të reklamuar Portin e Pusanit si dhe porte të tjerë të Koresë së Jugut. Dje, u vendos përfundimisht që Pusani të jetë mikpritësi i konferencës së porteve për vitin 2011 dhe kjo ishte një ngjarje e madhe për ne".

Konferenca Botërore e Porteve mbahet çdo dy vjet dhe sponsorizohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Portet, e themeluar në vitin 1955 si forum diskutimesh dhe bashkëpunimi për industrinë detare ndërkombëtare. Hjustoni i cili sot është porti i 10 më i madh i botës, ka qenë edhe përpara 30 vjetësh mikpitës i konferencës. Konferenca tanishme përfshin përfaqësues nga 400 porte të botës si dhe disa ekzekutivë të lartë të kompanive të lidhura me operacionet portuale dhe tregtinë detare. //iç//

XS
SM
MD
LG