Lidhje

Basha: Shqipëria mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës


Shefi i diplomacisë së Shqipërisë Lulzim Basha tha sonte se Shqipëria mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës, që sipas tij është pjesë e pandashme e qëndrueshmërisë në rajon. Zoti Basha i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij treditëshe në Prishtinë. Ai tha se Tirana mbështetë një proces dinamik që duhet të përmbyllet pa zvarritje dhe në këtë frymë është në pajtim me qëndrimet e Shteteve të bashkuara kundruall çështjes së Kosovës. “Qëndrimi i SHBA dhe i Shqipërisë janë identik sa i përket Kosovës- ne mbështesim fuqimisht pavarësinë e Kosovës. Ne jemi shprehur disa herë që favorizojmë fuqishëm një rezolutë në KS si një instrument që garanton konsensusin për pavarësimin e Kosovës", tha zoti Basha.

Ministri shqiptar shfaqi shpresën se bashkësia ndërkombëtare do të arrijë konsensus për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Ai tha se Shqipëria nuk dëshiron të paragjykojë zhvillimet e ardhshme, por është e gatshme që bashkë me komunitetin ndërkombëtar të marrë të gjitha përgjegjësitë sa i përket stabilitetit të rajonit.

Ai tha se i ka shprehur mbështetjen edhe shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker për veprimet që duhet të merren në periudhën në vazhdim. “Ta sigurojë për mbështetjen e vazhdueshme edhe në këtë fazë të rëndësishme që kërkon maturi, pjekuri, zgjuarsi dhe unitetin që ka karakterizuar shqiptarët në momentet vendimtare siç është ky i përfundimit të procesit të pavarësimit të Kosovës”, tha ai. Zoti Basha mori mirënjohjen e shefit të UNMIK-ut Joachim Ruecker për mbështetjen e Shqipërisë dhe rolin e saj në përkrahjen dhe procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë pritet që gjatë dy ditëve të ardhshme të zhvillojë takime udhëheqësit më të lartë të Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG