Lidhje

Irak: Konfirmohet gjetja e trupit të një ushtari të humbur amerikan


Ushtria amerikane në Irak konfirmoi se trupi i nxjerrë nga lumi Eufrat dje ishte i një nga tre ushtarët amerikanë që figurojnë të zhdukur prej dy javësh.

Një zëdhënëse e ushtrisë tha sot se trupi është identifikuar si ai i ushtarit Xhozef Anzak. Anzack dhe dy ushtarë të tjerë besohet të jenë kapur nga terroristë të lidhur me Al-Kaidën në jug të Bagdatit më 12 maj. Sulmi në zonën e njohur si Trekëndëshi i Vdekjes nxiti një operacion masiv kërkimi.

Sot në Faluxha zyrtarët irakianë thanë se shpërthimi i një autobombe vrau të paktën 26 persona gjatë një shërbimi mortor.

Në Bagdat persona të armatosur vranë 11 vetë në një mikrobuz, ndërsa në veri të Bagdatit një makinë në anë të rrugës vrau gjashtë policë.

Presidenti Bush tha se trupat amerikane në Irak janë përballë një momenti kritik ndërsa po përgatiten të zbatojnë strategjinë e tij të re gjatë muajve të ardhshëm. Kontigjenti i fundit i 30 mijë trupave shtesë që presidenti po dërgon në Irak duhet të mbërrijnë aty deri në mes të muajit të ardhshëm.

Presidenti tha se numri i viktimave mes trupave amerikane mund të shtohet, me mbërritjen dhe hyrjen në luftime të të gjithë kontigjentit shtesë. “Ndërsa përforcimet e reja do të fillojnë kryerjen e misionit të tyre, armiqtë e Irakut të lirë, përfshirë al-Kaidën dhe grupet e paligjshme të armatosura, do të vazhdojnë të venë bomba dhe të vrasin, në përpjekje për të na ndaluar. Në javët dhe muajt e ardhshëm mund të ketë luftime të ashpra. Mund të priten më shumë viktima mes amerikanëve dhe irakianëve.” Presidenti po përpiqet të sigurojë mbështetjen e publikut për një luftë, që shumica e amerikanëve, tani besojnë se ishte e gabuar.

Sipas një ankete të agjencisë Associated Press, gati dy-të-tretat e amerikanëve nuk i miratojnë politikat e presidentit për luftën në Irak. Presidenti Bush u tha gazetarëve sot gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, se ai e kupton kundërshtimin e njerëzve, por ai ka besim se fitorja ndaj terroristëve në Irak është jetike për sigurinë e vendit. “Është një luftë e ashpër dhe pa dyshim ka patur ndikim tek populli. Amerikanët duan të dinë se kur do të fitojmë.” Presidenti tha se fitorja do të vijë kur Iraku të jetë një vend i qëndrueshëm dhe aleat në luftën kundër terrorizmit, i aftë të vetë-qeveriset dhe të mbrojë veten.

Në fillm të muajit Presidenti Bush tha se shtimi i numrit të trupave kishte filluar të jepte shenjat e para të suksesit, duke pakësuar dhunën sektare në kryeqytet. I pyetur rreth njoftimeve se sipas të dhënave nga morgu në Bagdat, numri i vrasjeve të tilla është shtuar, presidenti e pranoi shtimin e dhunës, duke theksuar se bëhet fjalë për një rast të izoluar, që do të jetë pjesë e raportit që gjenerali David Petraeus do të paraqesë në shtator për strategjinë e luftës pas shtimit të trupave.

Ligjvenësit demokratë në Kongres, thonë se presin të shohin përparime të ndjeshme në raportin në fjalë, përndryshe ata do të rifillojnë të shqyrtojnë mundësinë e shkurtmit të fondeve për luftën.

Në variantin përfundimtar të projekt-buxhetit për luftën në Irak, që pritet të miratohet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, ligjvenësit demokratët hoqën dorë nga kërkesa për të caktuar një afat për tërheqjen e trupave. Projekt-buxheti prej 120 miliardë dollarësh, do të financojë trupat deri në shtator dhe brenda tij përfshihen edhe miliarda dollarë të tjerë për projekte brenda Amerikës, si dhe një masë tjetër për ngritjen e pagës minimale.

Projekt ligji parashikon një numër standartesh politike dhe në fushën e sigurimit që qeveria e Irakut duhet të arrijë, ose përndryshe ajo rrezikon të humbasë ndihmat e rindërtimit. Në variantin fillestar të projekt-buxhetit, që presidenti i vuri veton në fillm të muajit, përfshiheshin edhe afat konkrete kohore për tërheqjen e trupave. //rd//

XS
SM
MD
LG