Lidhje

Dita e Botërore e Mjedisit:  “Shkrirja e akullit,  një çështje e nxehtë”


Që prej vitit 1974, Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 5 qershorin si Dita e Botërore e Mjedisit. Tema e kësaj dite për sivjet është: “Shkrirja e Akullit – një Çështje e Nxehtë”.

Rajonet polare të globit janë mjedise të akullta e të pabanueshme, por njëkohësisht tepër tërheqëse e mahnitëse. Këto rajone gjithashtu po tregojnë edhe shenja dëmtimi.

Kombet e Bashkuara e kanë shpallur 2007-n si Vitin ndërkombëtar Polar për të nxitur kërkimet dhe vetëdijen rreth pasojave të ngrohjes globale në polet e veriut e të jugut. Për të mbështetur këtë nismë, tema e Ditës Ndërkombëtare të Mjedisive këtë vit është; “Shkrirja e Akullit – një Çështje e Nxehtë”. Brenan Van Dajk është zyrtare e programit të OKB-së për mjedisin.

“Dita ndërkombëtare e mjedisit u caktua si festë e veçantë mbi 30 vjet më parë nga asambleja e përgjithëshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vemendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim”.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, shkencëtarët përllogarisin se temperatura në Arktik po ngrihet me një ritëm dy herë më të shpejtë sesa ritmi i përgjithshëm, duke shkaktuar shkrirjen e akullnajave në det kryesisht për shkak të ngrohjes globale. Ashim Steiner është drejtor i programit të OKB-së- për Mjedisin.

“Të dhënat e fundit janë tepër shqetësuese për të gjithë, jo vetëm për ndërlikimet që mund të sjellë kjo ngrohje në rritjen e nivelit të detit, por sepse kjo do të prekë gjithë njerëzimin. Pra duhet kuptuar se në ç’mënyrë jeta e njerëzve do të ndryshojë, pasi do të preken bazat themelore të jetesës e në disa raste këto baza do të zhduken”.

Shtresa e akullit polar mban rreth 99 përqind të ujit të ëmbël në botë. Raporti i OKB-së thotë se zvogëlimi çdo vit i shtresës së akullit të Grinlandës në vitet 1990 u dyfishua dhe vazhdon të shkrihet me një shpejtësi shqetësuese. Shkrirja e shtresave të akullta rrezikon jetesën e qindra mijëra banorëve autoktonë të këtij rajoni si dhe të llojeve të bimëve dhe kafshëve. Zyrtari Van Dajk thotë se rajonet polare janë paralajmëruesit e parë të ndryshimeve klimatike.

“Veprimet e përbashkëta të njerëzve në mbarë botën janë me ndikime të jashtëzakonëshme për rajonet e Arktikut dhe çdo njeri mund të luajë një rol për pakësimin e problemeve të ndryshimit të klimës. Në faqen tonë në internet, ne paraqesim 77 mënyra dhe 77 veprime që çdo njeri mund të përdorë për të ndihmuar në këtë drejtim. Një veprim i vetëm është i efektshëm, veprimet kolektive e zmadhojnë këtë efektshmëri”.

Më 5 qershor, me rastin e ditës ndërkombëtare të mjedisit zhvillohen një numër veprimtarish. Për të mësuar më shumë mbi rëndësinë e madhe të klimës në rajonet polare dhe rolin e saj në mjedis vizitoni faqen kompjuterike www.unep.org //iç//

XS
SM
MD
LG