Lidhje

Si funksionojnë qeveritë lokale në Amerikë?


Për shumicën e amerikanëve, qeveritë në qytetet apo rajonet e tyre, të njohura si komuna, janë qeveritë me të cilat ata komunikojnë më së shumti. Por krahas qeverive lokale ekzistojnë edhe grupe qytetarësh, të cilët i kërkojnë qeverive të bëjnë ndryshime me synimin për të përmirësuar jetën e tyre. Në materialin në vazhdim bëhet fjalë rreth mënyrës sesi qeveria e komunës së Montgomerit në shtetin e Merilandit zhvillon zgjedhjet me ndihmën e qytetarëve vullnetarë.

Në Shtetet e Bashkuara është ditë zgjedhjesh dhe në komunën e Montgomerit në Meriland në periferi të Uashingtonit, qytetarët vullnetarë punojnë në qendrat e votimit.

Të martën e parë të nëntorit në vite të caktuara, zgjedhësit në Shtetet e Bashkuara votojnë për kandidatët e zyrave qeveritare. Ndërsa në këtë ditë mund të votohet për zyra kombëtare, si presidenca dhe kongresi amerikan, si dhe për zyra të tilla si guvernatori, qeveritë lokale mbikqyrin votimet nëpërmjet një zyre që tipikisht quhet Bordi i Zgjedhjeve.

Bordi dhe personeli i tij nuk i mbajnë zgjedhjet pa ndihmë. Marxhëri Rohrer, punonjëse e Bordit të Zgjedhjeve për komunën e Montgomerit, thotë se për mbajtjen e zgjedhjeve nevojiten shumë vullnetarë. “Bordi i Zgjedhjeve ka një personel shumë të vogël, prandaj ne nuk do të ishim në gjendje të dërgonim personel në të gjitha qendrat e votimit. Këta vullnetarë janë shumë të rëndësishëm për mbajtjen e zgjedhjeve.” Por këta vullnetarë nuk paraqiten thjeshtë në qendrat e votimit. Para ditës së zgjedhjeve, ata marin kurse kualifikimi në zyrat e Bordit të Zgjedhjeve në Rokvill të Merilandit. Për shembull, verifikimi se zgjedhësi ka të drejtë të votojë, është me shumë rëndësi.

Në vend të fletëvotime prej letre, zgjedhësit në komunën e Montgomerit e hedhin votën me kompjuter, duke prekur ekranin e tij. Ky ndryshim nuk u pëlqen disa zgjedhësve, të cilët nuk i besojnë makinës. Por vullnetari i zgjedhjeve, Endrju Gallant, thotë se kurset që ka marë ia kanë shtuar besimin tek sistemi i ri i votimit me kompjuter si dhe në procesin zgjedhor në përgjithësi. “Është shumë e rëndësishme që qytetarët ta mbështesin procesin zgjedhor dhe të ndihmojnë, duke ushtruar të drejtën e tyre, jo vetëm për të votuar, por edhe për të mbështetur procesin. Në se nuk e mbështesin procesin, si mund ta dimë ne nëse ai funksionon?” Në ditën e zgjedhjeve në shtetin e Merilandit qendrat e votimit hapen në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në 8 të mbrëmjes.

Punonjësit në qendrat e votimit, përballen me radhë të gjata zgjedhësish, që duhen verifikuar se janë të ligjshëm e të regjistruar, atyre u duhet dhënë një letër plasmasi, që aktivizon makinën e votimit dhe në disa raste duhet të zgjidhen probleme teknike për të përfunduar hedhjen e votës.

Çarlls Çallstrom është instruktor i vullnetarëve për komunën e Montgomerit. Ai thotë se prania e qytetarëve vullnetarë është e rëndësishme sepse krijon për procesin e zgjedhjeve një legjitimitet më të madh tek publiku. “Unë sigurohem se pjesëmarrja e këtyre vullnetarëve ditën e zgjedhjeve bën që procesi të zhvillohet si duhet, që zgjedhësit të kenë besim tek procesi dhe se vota e tyre ka peshë. Ky është një hap i rëndësishëm.” Pavarësisht se cili kandidat fiton në kutinë e votimit, angazhimi i vullnetarëve ndihmon në sigurimin se vetë procesi zgjedhor del fitimtar. //rd//

XS
SM
MD
LG