Lidhje

Xhaferri: PDSH-ja do të vazhdojë punën për shtetin dykombësh


Arbër Xhaferi, i cili dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, flet në një intervistë me Zërin e Amerikës për zhvillimet politike në Maqedoni, lidhur me nevojën për disa nga ligjet jetike për shqiptarët, për çështjen e statusit të Kosovës dhe për angazhimet personale pas largimit nga posti i kryetarit të partisë. Zoti Xhaferi e dha intervistën para se Kongresi ta miratonte të shtunën pasdite kryetarin e ri të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Zëri i Amerikës: Z. Xhaferi, ju keni njoftuar tërheqjen tuaj nga posti i kryetarit të partisë tuaj Demokratike Shqiptare. Ku e shihni të ardhmen e parisë të cilën e drejtuar për katërmbëdhjetë vjet?

Arbër Xhaferi: Kjo parti politike ka krijuar tashmë profilin e saj doktrinar. Kjo parti i takon qendrës së djathtë dhe në këtë aspekt i ka formësuar premisat kryesore ideologjike që kanë të bëjnë me funksionimin e shteteve binacionale ose multikulturore. Kjo parti do të vazhdojë që ta avancojë këtë proces duke krijuar prej Maqedonisë një vend të qytetarëve dhe bashkësive etnike të barabarta.

Zëri i Amerikës: Si ju duket gjendja politike në vend? Qeveria e kaloi një krizë me mocionin ndaj kryeministrit Gruevski. A mendoni se ky koalicion do të vazhdojë qeverisjen edhe për shumë muaj që vijnë?

Arbër Xhaferi: Mendoj se prej fillimit ky koalicion ishte i natyrshëm për shkak të afrisë ideologjike midis këtyre dy partive të djathta. Po ashtu kemi afërsi tradicionale jo vetëm në periudhën më të re historike por edhe më parë kur është formuar për herë të parë partia VMRO. Detyrë e opozitës është të bëjë obstruksione, mirëpo në këto obstruksione mund të humbet besueshmëria i opozitës për shkak se orvatet dhe gjithmonë dështon. Unë mendoj se të gjitha orvatjet e opozitës për ta prishur këtë qeveri do të përfundojnë me dështim dhe me molisje të kapaciteteve politike të opozitës. Në politikë po qe se nuk pate argumente, po qe se dështove, atëherë kjo ka pasoja të rënda mbi kredibilitetin e asaj partie.

Zëri i Amerikës: Çka po ndodh me çështjet si përdorimi i gjuhës shqipe dhe aspekti financiar i ish-luftëtarëve shqiptarë të vitit 2001? Pse kryesuese i seancave të Parlamentit, nëse shqiptar, të mos mund t'i drejtojë ato në gjuhën shqipe?

Arbër Xhaferi: Po tranzicioni nuk bëhet vetëm në segmentin juridik që domethënë të ndërrohen ligjet. Tranzicioni duhet të kapë edhe mentalitetin e njerëzve që janë formuar në një mënyrë dhe nuk pranojnë me lehtësi risi që duhet të ndodhin në shoqëri. Ka tendenca që gjuhën shqipe ta vënë në segmentin subjektiv, pra që të aktivizohet subjekti e kërkon këtë e jo të jetë gjuhë zyrtare në mënyrë sistematike. Këtë koncept subjektiv të gjuhës e imponoi në mandatin e kaluar koalicioni i Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim me ligjin për përdorimin e pasaportave. Te pasaportat gjuha shqipe përdoret vetëm me kërkesë të qytetarëve dhe jo me automatizëm. Ne do të gjejmë zgjidhje për gjuhën dhe nisur nga marrëveshja e Ohrit, aneksi 3, ne do të arrijmë zgjidhje për ish-luftëtarët e UCK-së, për familjet e tyre dhe për dëmshpërblimet e tjera.

Zëri i Amerikës: Z. Xhaferi, nëse mund të kalojmë tek cështja e Kosovës. Ju keni jetuar gjatë kohë dhe vepruar atje dhe i njihni mirë rrethanat. Çka pritet të sjellë kjo zvarritje e statusit?

Arbër Xhaferi: Zvarritja e statusit do të arrijë të harxhojë argumentet e fundit të serbëve që mbështeten nga Rusia. Mendoj se ata taktizojnë duke pandehur se do të rrisin numrin e përkrahësve të tyre. por unë mendoj se qëndrimi i Rusisë bie ndesh me proceset historike dhe bie ndesh poashtu me logjikën dhe moralin. Ne kemi dy modele në konkurrencë: atë të Kosovës dhe të Cecenisë. Në modelin e Kosovcës gjithcka është pozitive. Në këtë model nuk ka antogonizma në mes Krishterizmit dhe Islamit. Në këtë model kemi mesazhin e ndërprerjes së genocidit, kemi fenomenin e demokracisë së mirëfilltë. Zgjedhjet demokratike në Kosovë kanë qenë të suksesshme. Në modelin e Ksovës kemi poashtu garanci maksimale për pakicat. ndërkaq, në modelin e Cecenisë kemi një mesazh për konfrontimin e pandalshëm në mes Islamit dhe Krishterimit, ka një genocid të suksesshëm, dështim të demokracisë, dështim të të gjitha parimeve që i mbrojnë të drejtat e minoriteteve. Pra, Rusia nuk mund t'i konkurrojë Perëndimit me modelin e Cecenisë, ndërkaq, modeli i Kosovës është vetëvetiu human dhe i drejtë.

Zëri i Amerikës: Pakica serbe në Kosovë gëzon të drejta, sic keni komentuar edhe Ju vetë, më të mëdha se shqiptarët në Maqedoni, të cilët përbëjnë më shumë se cerekun e popullatës së këtushme. Si e komentoni idenë e z.Bajram Rexhepi për t'i dhënë autonimi pjesës veriore të Mitrovicës dhe si e shikoni në perspektivë rajonin e populluar me serbë në veri të Ksovës?

Arbër Xhaferi: Së pari, unë mendoj se duhet të që me këto deklarata të kemi kujdes dhe të mbështesim ekipin e unitetit me që ata janë thellë në këto raporte dhe i dinë nuancat që ekzistojnë në këto procese dhe kontakte që kanë me faktorin ndërkombvëtar. Mund t'i kemi motivet shumë pozitive mirëpo përfundimet mund të jenë të gabueshme. prandaj sugjeroj që të mëbshtetet ekipi i Unitetit dhe të mos krijohen komplikime të reja. Për sa i përket të drejtave të minoritetit, shqiptarët gjithmonë kanë qenë pro ligjeve që garantojnë të drejtat e tyre, për shkak se ne nuk kemi forcë tjetër përvec humanizmit. Ne nuk kemi mjete ushtarake, nuk kemi as mjete të pashterrshme financiare për të shkuar në një pozitë të oponencës. Prandaj cështja jonë duhet të mbshtesë zgjidhjet humane për këto dukuri dhe men doj se është një orientim i drejtë.

Zëri i Amerikës: Z. Xhaferi, lini përshtypjen se Ju do të largoheni nga jeta aktive politike. Nëse mund t'ju pyes me cka do të merreni? kolonat në shtyp me siguri nuk do të ishin ndonjë risi, apo jo?

Arbër Xhaferi: Po me këtë rast dëshiroj të bëj një dallim në mes funksionit dhe misionit politik. Unë do ta humb funskion in politik për cka askujt nuk duhet t'i vijë keq për shkak se është një dukuri normale në sistemet demokratike. Por unë nuk do të demisionohem politikisht. Do të përpiqem që për disa cështje përmes shkrimeve të ndryshme të krijoj opinion. Pra, do të vazhdoj të veproj në kuadër të një misioni që ia kam dhënë vetes.//kk//

XS
SM
MD
LG