Lidhje

Galeria e Artit e Universitetit Yale një vepër e veçantë arkitekturore


Universiteti Yale, që ndodhet në Nju Haven, të shtetit verilindor të Connecticut-it, njihet për ambjentet universitare të stilit Neo-Gotik, me ndërtesat e ndertuara në shekullin e 20-të, por të stilit mesjetar evropian. Por në universitet ka disa ndërtesa, kryevepra të arkitekturës moderne, mes tyre edhe ajo kryesore, Galeria e Artit e Universitetit Yale, me projektues mjeshtrin e shekullit të 20-të, arkitektin me origjinë estoneze, Luis Kahn, reputacioni i të cilit u rrit së tepërmi që pas vdekjes e tij në vitin 1974.

Galeria e Artit e Universitetit Yale, e ndërtuar në vitin 1953, ishte vepra e parë madhore e arkitektit amerikan Louis Kahn. Drejtori i galerisë, Jock Reynolds thotë:

"Ishte diçka tërësisht e re. Ishte vepra e parë e arkitekturës moderne në mbarë New Haven, dhe ajo kishte në vetvete disa elemente tepër të veçanta. Ishte ndërtesa e parë, për shembull, që kishte ndriçim me llampa të montuara në rresht, me mure të jashtme pa funksion strukturor, një nga ndërtesat e para me xhama të dyfishtë dhe me një tavan unik si ky që shikoni këtu".

Galeria është e hapur për publikun dhe atje janë ekspozuar disa nga veprat më të bukura të artit perëndimor, mes tyre ka edhe piktura nga Monet dhe Van Gogh, nga artistë të njohur aziatikë, si dhe skulptura dhe maska që përdoren në ritualet fetare.

Në këtë ndërtesë ka qenë, për shumë vite me radhë, Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit Yale. Arkitekti Louis Kahn dha atje mësim si profesor i jashtëm, në periudhat kur nuk ishte duke u marrë me projektimin e ikonave të tjera të Modernizimit, si Muzeu Kimbell i Artit në Texas, Insituti indian i Menaxhimit dhe ndërtesa e parlamentit në Bangladesh, si edhe një tjetër muze për Yalen, Qendra e Artit Britanik.

Por gjatë viteve, Galeria e Artit e Universitetit Yale, mund të thuhet është lënë pas dore, edhe për shkak të krijimit të ndarjeve të panevojshme brenda godinës, që e kanë fragmentizuar atë. Duke filluar nga viti 2004, Reynolds parashikoi një periudhë restaurimi dy-vjeçare, duke i rihapur hapësirat, në mënyrë që ato t’i përshtateshin vizionit të Kahnit.

"Kjo ndërtesë ka në vetvete një ngrohtësi dhe cilësi organike, krahas me të qënit tepër masive, e cila nuk mund të krahasohet me ndërtesat e tjera moderniste, dhe sinqerisht, mund të them se ajo bart një lloj ndjeshmërie të karakterit njerëzor. Pra ajo të le përshtypejn e diçkaje vërtet masive, por edhe delikate".

Louis Kahn vdiq në vitin 1974, por ndikimi i tij shihet kudo në arkitekturën bashkëkohore. Drejtori i galerisë, Reynolds thotë se ndryshe nga ndërtesat me linja të mprehta të artisëve të tjerë modernistë, projektet e Kahnit, kanë shpirt dhe shprehin ndjenja, ashtu sikurse edhe monumentet e lashtësisë.

"Ishte njëlloj si të shkoje në kohërat e shkuara, në Egjipt, për shembull, sepse zbulon se janë pikërisht piramidat dhe gjeometria e lashtësisën që i japin formën dhe frymëzimin arkitektit Kahn. Me të vërtetë, në projektet e tij ndihet ndikimi i artit grek, romak dhe egjiptian", thotë Reynolds.

Galeria e porsarestauruar e Universitetit Yale, u rihap me ekspozimin e skulpturave bashkëkohore, të zgjedhura nga një grup studetësh të Yejlit. Ekspozita: Përgjigje ndaj Kahnit: Një bashkëbisedim skulpturor, përfshin punime, mes të tjerësh, nga artisët e njohur Alexander Calder, Annette Lemiueux, Duanne Hansen dhe Alison Saar. //kk//

XS
SM
MD
LG