Lidhje

Ambasadori amerikan në Irak përballë pyetjesh të vështira në Kongres


Ambasadori amerikan në Irak, Ryan Crocker dha një përshkrim me cilësime të kundërthënëse mbi përparimin politik që po bëhet nga udhëheqësit irakianë, në një sesion raportimi para ligjvënësve amerikanë, me lidhje me video nga Bagdadi. Ligjvënësit, nga ana e tyre, shprehën padurimin që qeveria irakiane nuk ka arritur suksesin e pritshëm dhe ripërsëritën thirrjet për një pakësim të pranisë ushtarake amerikane në atë vend.

Ambasadori amerikan Crocker u tha anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Senatit se qeveria irakiane ka bërë një farë përparimi, por se mbetet ende shumë për t’u bërë.

"Sigurisht, që unë nuk do të përpiqem t’ua paraqes qeverinë irakiane si një qeveri model, që po funksionon me efikasietet dhe pa asnjë problem. Ajo përballet me vështirësi të konsiderueshme. Stresi, vështirësitë dhe tensionet e shoqërisë irakiane pasqyrohen tek qeveria e këtij vendi dhe në se do të kishte një fjalë, me të cilën unë do ta përmblidhja atmosferën në Irak, nëpër rrugët, fshatrat lagjet dhe në nivelin mbarëkombëtar ajo fjala “frikë”- tha ambasadori Cocker.

Në një raport të administratës javën e kaluar në Kongres, thuhej se në Irak është bërë përparim në më pak se gjysmën e 18 kritetereve të përcaktuara në fushat politike, ekonomike dhe ushtarake. Ligjvënësit shprehën shqetësimin e tyre lidhur me ritmin e përparimit nga ana e qeverisë irakiane. Disa nga komentet më kritike, madje u bënë nga anëtarët e Partisë Republikane të Presidentit Bush. Ja si u shpreh Senatori republikan i Nebraskës Chuck Hagel:

"Sa kohë e gjatë duhet të kalojë për të thënë se është koha e mjaftueshme? Kemi hyrë tani në vitin e 5-të dhe akoma nuk po shohim të ndodhë një pajtim politik. Në fakt, përkundrazi, mendoj se po shkojmë mbrapsht."

Senatori Hagel është njëri nga senatorët republikanë, numri i të cilëve është në rritje dhe që kanë bërë thirrje për një strategji të re në Irak, që të çojë në pakësimin e numrit të trupave ushtarake amerikane atje dhe në shtimin e përpjekjeve diplomatike.

Kryetari republikan i Komisionit të Jashtëm, senatori i Indianës Richard Lugar, ka propozuar një projektligj, që i kërkon Presidentit Bush të përgatisë një plan për kontingjentin e trupave në Irak, që do të çonte pakësimin e numrit të trupave luftarake.

"Tani duhet të përgatitemi për ato që do të bëjmë në të ardhmen."

Zoti Lugar e pyeti ambasadorin Crocker, në se qeveria e Shteteve te Bashkuara po formulon një plan për pakësimin e kontingjentit të trupave amerikane në Irak. Ambasadori ju përgjigj, se nuk ishte në dijeni të një plani të tillë dhe shtoi se ai vetë po përqëndrohej në zbatimin e strategjisë së presidentit për shtimin e trupave.

Zoti Crocker dëshmoi në Kongres një ditë, pasi republikanët në Senat bllokuan një propozim të demokratëve për tërheqjen e trupave luftarake amerikane deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm.

Presidenti Bush, në një fjalim që mbajti në Tenesi, duke iu referuar mesa duket debatit në Kongres, lidhur me tërheqjen e trupave, tha se strategjia aktuale e Shteteve të Bashkuara në Irak është në rrugë të mbarë.

"Ne do të arrijmë sukeses, vetëm në se e ruajmë optimizmin. Ne do ta fitojmë luftën. Liria ka kapacitetin ta mundë tiraninë, në çdo kohë," tha Presidenti.

Ligjvënësit pritet ta vazhdojnë debatin mbi Irakun në muajin shtator, kur ambasadori Crocker dhe komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali David Petreas, ta informojë Kongresin lidhur me suksesin e strategjisë së shtimit të trupave.

XS
SM
MD
LG