Lidhje

Kosova në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së


Çështja e Kosovës u diskutua sot edhe nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, në takimin e tyre në Bruksel. Ministrat theksuan nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje që do t’i shërbente qëndrueshmërisë në Ballkan, duke ruajtur njëkohësisht të pacënuar unitetin në Bashkimit Evropian.

Sekretari i Jashtëm britanik David Miliband shprehu bindjen se Këshilli Evropian do të dalë me një qëndrim të prerë për Kosovën:

"Mendoj se është shumë e rëndësishme që të kristalizojmë qëndrimin tonë rreth nevojës për një udhëheqje të fortë evropiane por edhe të unitetit evropian në këtë drejtim. Dy herë më parë Këshilli Evropian ka parashtruar qëndrime shumë të prera dhe të qarta lidhur me Kosovën dhe ne do ta ndjekim këtë shembull," tha zoti Miliband.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt theksoi nevojën për të ruajtuar unitetin në Bashkimin Evropian gjatë zgjidhjes së kësaj çështjeje:

"Mendoj se e kemi pak a shumë të qartë se ku do të arrijmë në periudhën afat-gjatë, por mënyra që zgjedhim për të arritur atje është shumë e rëndësishme, për ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan. Zbatimi i suksesshëm i zgjidhjes që gjejmë, që do të kërkonte një periudhë diplomacie, por gjithashtu edhe ruajtja e unitetit në Bashkimin Evropian janë tepër të rëndësishme për kredibilitetin tonë afat-gjatë si në Ballkan dhe gjetkë," tha zoti Bild.

Duke përmendur kohën e kufizuar që ka në dispozicion bashkësia ndërkombëtare për këtë problem, Ministri i Jashtëm gjernam Frank-Walter Steinmeier tha se e sheh me vend krijimin e një tresheje ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, e cila të negociojë me palën shqiptare dhe atë serbe.

"Si mund ta fillojmë një proces negociatash – pikërisht këtë do të debatojmë tani. Ka mendime që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun të emërojë një të dërguar të ri për të ndërmjetësuar procesin. Të tjerët kanë propozuar që Grupi i Kontaktit të drejtojë procesin e negociatave. Unë vetë kam një tjetër propozim – duke pasur parasysh se po flasim për një periudhë shumë të shkurtër kohe, duhet të kemi një numër sa më të vogël njerëzish në tryezën e bisedimeve prandaj jam për idenë e një tresheje ndërkombëtare, pasi në këtë mënyrë do të kishim 3 partnerë ndërkombëtarë në negociatat me serbët dhe shqiptarët," tha zoti Steinmeier. //ad//

XS
SM
MD
LG