Lidhje

Ekspozitë e artit amerikan në Rusi


Një koleksion i madh i artit amerikan u ekspozua këtë javë në Moskë në një ngjarje kulturore të madhe në Rusi. Ekspozita është një përpjekje e përbashkët e muzeumeve amerikane dhe kompanive sponsorizuese, si edhe Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë Ruse të Punëve të Jashtme.

Muzeu Pushkin i Arteve të Bukura në Moskë po mban ekspozitën më të madhe të artit amerikan në Rusi, të quajtur “Arti në Amerikë: 300 vjet novacione.” Ai nderon gjithashtu 200 vjet marrëdhënie diplomatike mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në ceremoninë e hapjes së saj, Mikhail Shvydkoy, drejtor i Kulturës Ruse dhe Agjencisë Kinematografike tha se vizitorët do ta kuptojnë më mirë artin amerikan.

“Ne flasim shumë për artin amerikan dhe e kritikojmë atë, pa e kuptuar se ajo që kritikojmë nuk është amerikane, por universale, art masiv kozmopolitan, arti i civilizimit të konsumatorit. Por arti amerikan ekziston dhe ai pasqyron botën e tensionuar shpirtërore të një vendi të madh,” thotë zoti Shvydkoy.

Vepra e Charles Willson Peale, portreti i George Washingtonit, komandant i forcave revolucionare amerikane dhe presidenti i parë amerikan është vendosur pranë portretit të një vajze pa emër pikturuar në vitin 1835 nga Ammi Phillips. Skena nga historia amerikane, si për shembull eksploratori, pionieri dhe heroi folklorik Daniel Boone duke udhëhequr kolonët për në Kentaki, ose kaubojsat në Perëndimin e Egër janë të vendosura pranë tablove nga natyra amerikane, mali madhështor i Sierra Nevadës, brigjet a Atlantikut, ose fushat e misrit në pjesën qendrore të vendit dhe një skenë urbane e San Francisco-s shekullit të 19-të.

Të ekspozuara janë gjithashtu larmia etnike dhe racore e Amerikës. Po ashtu është ekspozuar edhe një seri e krijuar këtë vit ku paraqitet trashëgimia e racizmit në Amerikë. Kjo temë përsëritet edhe në piktura të tjera, si paraqitja në vitin 1933 e ekzekutimeve të Ku Klux Klanit, e quajtur Drejtësia e Bardhë dhe piktura e Thomas Hart Benton-it, “Skllevërit”. Kjo vepër është e katërta e një serie prej pesë pikturave të Hartit të titulluar “Një epikë historike amerikane”. Kontributi unik amerikan për artin, Ekspresionizmi Abstrakt erdhi pas Luftës së Dytë Botërore.

Aktori amerikan Dennis Hopper, që ishte në Moskë për hapjen e ekspozitës, tha se kjo formë arti u shfaq gjatë Luftës së Ftohtë, kur Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin vlera të përbashkëta kulturore. Zoti Hopper vuri në dukje gjithsesi se Jackson Pollack dhe të tjerë protagonistë të ekspresionizmit abstrakt kanë marrë një pjesë të frymëzimit nga emigrantët rusë.

“Jackson Pollack është i pari që e hoqi kanavacën nga këmbaleci, e vuri në tokë dhe përdori gravitetin për të pikturuar. Kështuqë këto janë gjëra shumë të rëndësishme. Po ashtu paraardhësit e Arshile Gorkit ishin emigrantë nga Rusia,” thotë aktori.

Një pikturë e Arshile Gorkit është e përfshirë në ekspozitë. Veprat e tij post-impresioniste janë në kontrast me veprat pop të Roy Lichtensteinit, ose realizmin e Georgia O’Keefe.

Në ekspozitë janë paraqitur rreth 100 vepra të artit amerikan që do të jenë të paraqitura në Muzeun Pushkin të Moskës deri më 9 shtator të këtij viti. //ad//

XS
SM
MD
LG