Lidhje

Kisinger: Propozimi rus, shenjë pozitive për bashkëpunimin SHBA-Rusi


Ish-Sekretari amerikan i Shtetit Henri Kisinger është një ndër figurat më të njohura të politikës së jashtme amerikane. 84-vjeçari Kisinger ka shërbyer si këshilltarë për presidentë, ka dhënë mësim në Universitetin Harvard dhe ka shkruar një numër librash mbi historinë, diplomacinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai ende vazhdon te jetë aktiv në diplomaci duke shërbyer si keshilltar per politiken e jashtme. Korrespondentja e Zerit të Amerikes Suzane Presto bisedoi me zotin Kisinger për marredhëniet amerikano-ruse, duke u ndalur tek një prej problemeve më të mprehta midis dy vendeve, atë të sistemit të mbrojtjes nga raketat.

Zëri i Amerikës: Ju e cilësuat propozimin e Presidentit Putin për një bashkëpunim Rusi-Nato, “një nismë të guximshme.” Ç’nënkuptoni me këtë?

Kisinger: Propozimi i zotit Putin, së paku në disa aspekte duket se sugjeron që Rusia, Amerika dhe Natoja duhet të lidhin së bashku sistemet paralajmëruese dhe aftësitë me raketa për t’u përballur me kërcënimin iranian dhe kjo do të ishte një ndryshim nga mënyra si janë trajtuar këto çështje në të kaluarën dhe ndoshta sinjalizon mundësi për bashkëveprim për probleme të tjera të përbashkëta si ekonomia globale, klima, mjedisi dhe problemi i xhihadit radikal.

Zëri i Amerikës: A mendoni se xhihadi radikal është një kërcënim më i madh si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Rusinë sesa ai që paraqesin këto vende për njëri-tjetrin?

Kisinger: Pa diskutim. Nuk mendoj se as Rusia as Shtetet e Bashkuara duhet ta shohin njëra-tjetrën si kërcënim për sigurinë. Këto vende do të kenë mendime të ndryshme, por nuk parashikoj se këto ndryshime mund të çojnë në veprime ushtarake ndërmjet këtyre vendeve ndaj njëri-tjetrit.

Zëri i Amerikës: Ka pasur zëra të shumtë se mund të ketë një ringjallje të Luftës së Ftohtë, sidomos duke pasur parasysh shkeljen e të drejtave të njeriut dhe censurën e shtypit në Rusi. A mendoni se Shtetet e Bashkuara po bëjnë sa duhet për t’i eliminuar këto shqetësime?

Kisinger: Shtetet e Bashkuara kanë mendimin e tyre se çfarë përbën administrim të duhur të një vendi. Rusia mund të ketë mendimin e saj. Unë besoj tek pikëpamjet amerikane, por nuk e shikoj këtë mospërputhje si arsye për Luftë të Ftohtë.

Zëri i Amerikës: Presidenti Putini theksoi kohët e fundit se ka në plan të shkallëzojë aftësitë ruse ushtarake dhe të interceptimit si rezultat i kërcënimit amerikan dhe tani po shprehet se do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për t’iu kundërvënë kërcënimit të raketave iraniane. A ka një mospërputhje në këto qëndrime?

Kisinger: Nëse njëri vend kërcënon tjetrin me veprime të mundshme ushtarake, kjo pa dyshim e bën përmbushjen e objektivave të përbashkëta të vështirë, në mos të pamundur. Por kur udhëheqësit të shqyrtojnë këto çështje, do të arrijnë në përfundimin se perspektivat pozitive i kalojnë ato negative. Prandaj kam shpresë se diçka pozitive do të dalë nga kjo.

Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur se propozimi rus mund të jetë ose një nismë historike ose një manovër taktike e Moskës. Si mendoni ju?

Kisinger: Ashtu si shumë vendime politike të vendeve të ndryshme, kjo nismë është një kombinim i të dyjave dhe është detyra e udhëheqësve të shteteve ta kthejnë në një propozim pozitiv.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, cili është kërcënimi më i madh global? A do të veçonit Iranin, apo Xhihadin islamik?

Kisinger: Kërcënimi më i madh është një ndërthurje faktorësh globalë që nuk mund të përballohen nga vende individuale, pasi i tejkalojnë mundësitë për t’u zgjidhur në mënyrë paqësore apo me nisma të reja. Irani dhe Xhihadi islamik janë dy probleme të veçanta. Përhapja e armëve bërthamore paraqet kërcënim të madh për të ardhmen. Islami fondamentalist në formën xhihadiste paraqet rrezikun më të afërt. Por nuk mendoj se duhet të zgjedhim ndërmjet tyre, pasi janë deri diku të lidhura mes tyre. Nëse zgjidhim problemin e përhapjes së armëve bërthamore, mendoj se atëherë do të krijohej një prirje për zgjidhje paqësore që në rrjedhën e kohës do të ndikonte edhe tek xhihadizmi.

Zëri i Amerikës: Çfarë vendi mendoni se zë Kina në këto zhvillime?

Kisinger: Siç e dini, unë isha i pari zyrtar amerikan që vizitoi Kinën pas 25 vjetësh. Unë e shikoj Kinën si një pjesë esenciale të pandashme të sistemit global, prandaj mendoj se të gjitha ato që jemi të gatshëm t’i bëjmë në bashkëpunim me Rusinë, duhet të jemi të gatshëm t’i bëjmë në bashkëpunim me Kinën, duke ia përshtatur rrethanave. Ne kemi bashkëunuar ngushtë me Kinën lidhur me problemin bërthamor në Korenë e Veriut. Ajo që unë sugjeroj nuk është që Kina të izolohet, përkundrazi, ne duhet të jemi të gatshëm të punojmë nga afër me Kinën, ashtu siç punojmë me Rusinë.

Zëri i Amerikës: Polonia dhe Republika Çeke kanë një të kaluar të gjatë me Bashkimin Sovjetik dhe tani janë në një pikë delikate. A mendoni se shqetësimet do të mund të zgjidhen nga diplomatët?

Kisinger: Unë kam miq të mirë si në Poloni dhe Republikën Çeke dhe të gjithë ata që e njohin historinë e tyre i njohin vuajtjet dhe heroizmin e tyre gjatë shekujve. Shqetësimet e tyre lidhur me Rusinë nuk mund të zgjidhen vetëm nga diplomatët, por nevojiten kontakte të drejtpërdrejta mes njerëzve dhe një sistem ndërkombëtar, ku ata të ndihen të sigurtë. Shpresoj se nëse do të mund të krijojmë një zgjidhje për mbrojtjen kundërajrore, Polonia dhe Republika Çeke do të ndjehen të sigurta në këtë sistem. Por kam vënë gjithashtu në dukje se angazhimi që kemi marrë ndaj tyre duhet të ruhet.

Zëri i Amerikës: Nëse do të parashtronit një propozim që do të qetësonte si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusinë dhe do t’i bënte Poloninë dhe Republikën Çeke të ndjeheshin të sigurta, çfarë do të përfshinte propozimi?

Kisinger: Nuk jam këtu për të zgjidhur problemet e botës; këtë do ta bëj një herë tjetër. Por mendoj se tani duhet të përqëndrohemi në ato që mund të bëjmë tani. Më e dobishmja për momentin është që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të fillojnë një dialog mbi propozimin rus dhe të shqyrtojnë se si mund të funksionojë dhe mbi këtë bazë të diskutojnë edhe temat e tjera. //ad//

XS
SM
MD
LG