Lidhje

Këshilltari më i lartë i Presidentit Bush jep dorëheqjen


Karl Rouv është ai që bindi presidentin George Bush të konkuronte si guvernator i Teksasit në vitin 1993 dhe konsiderohet si ideatori i fushatës së tij të suksesshme për president në vitin 2000 dhe i fushatës për t’u rizgjedhur në vitin 2004.

Tani, pas 7 vjetësh dhe afro 8 muajsh në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush thotë se zoti Rouv po largohet.

"Karl Rouv do të vazhdojë me projekte të tjera".

Njoftimi çuditi Uashingtonin. Ai u bë ndërkohë që Presidenti Bush largohet nga Uashingtoni për pushime në fermën e tij në Teksas. Zakonisht Karl Rouv e shoqëronte.

"Kemi qenë miq prej vitesh dhe do të vazhdojmë të jemi miq. Unë do ta cilësojë Karl Rouvin mik të ngushtë".

Gjatë gjithë kohës që ka mbajtur poste në shërbim të presidentit, Karl Rouv është njohur si një ndër këshilltarët e tij më të besuar mbi politikën.

Presidenti i referohet gjithashtu atij si “gjeni.” Por kritikët shpesh e cilësojnë si “truri i Bushit.”

Vitet e Karl Rouvit në Uashington nuk kanë kaluar pa kritika. Për muaj të tërë veprimet e tij ishin nën mbikqyrje në lidhje me zbulimin e identitetit të një agjenteje të CIA-s. Kohët e fundit ai është thirrur për të dëshmuar para një Komisioni të Kongresit lidhur me pushimin nga puna të 9 prokurorëve federalë.

Zoti Rouv nuk i përmendi këto momente, kur po përgatitej për t’u kthyer në Teksas.

"Jam mirënjohës që kam punuar me burrat dhe gratë e shkëlqyer që keni mbledhur në këtë administratë. Po ashtu jam mirënjohës që kam përjetuar zhvillime historike. Ka qenë nderi dhe kënaqësia e jetës sime".

Karl Rouv tha se u kishte kërkuar gruas dhe djalit të tij të duronin shumë gjatë viteve të tij në politikë dhe tani ka ardhur koha që t’u kushtohet atyre. Ai tha se do ta ndjejë mungesën e punës në Shtëpinë e Bardhë, por shtoi se do të vazhdojë të mbështesë presidentin dhe administratën. //ze//

XS
SM
MD
LG