Lidhje

Kal Ripkin, ambasadori sportiv i SHBA-ve në botë


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs emëroi dje një ndër yjet e bejsbollit amerikan të viteve ’90, i pranuar edhe në Hollin e Famës, Cal Ripken si ambasadorin sportiv të Shteteve të Bashkuara në botë. Ripken, i cili ka pasur një karrierë të shkëlqyer sportive, duke u pranuar edhe në Hollin e Famës së Bejsbollit, tha se nuk pretendon se po fillon një karrierë politike me këtë post, por shtoi se është një mundësi e përsosur për të shfrytëzuar bejsbollin dhe sportin në përgjithësi për të përhapur një mesazh të rëndësishëm.

Në ceremoninë e zhvilluar dje në Departamentin e Shtetit, Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs theksoi besimin se Ripken do të jetë një ambasador i vyer i mirëkuptimit mes kulturave për Shtetet e Bashkuara. "Pak kohë më parë kur Cal Ripken pranoi përzgjedhjen në Hollin e të Famshmëve të Bejsbollit, ai tha se do të dëshironte të bëhej ambasador për të ardhmen dhe të linte gjurmën e tij në botë ashtu si çdo lojtar bejsbolli që dëshiron të lërë gjurmët e tij në këtë sport dhe t’ua lërë brezave më mirë se e gjeti. Nuk kam asnjë dyshim se duke marrë detyrën e re, Cal Ripken jetë një ambasador i shkëlqyer i Shteteve të Bashkuara për njerëzit në botë. Me këtë rast kam nderin të prezantoj para jush ambasadorin e ri sportiv të Shteteve të Bashkuara në botë", tha zonja Rajs.

Ndërsa vetë ylli i bejsbollit tha: "Megjithëse e kam të vështirë të komunikoj me koreanët apo me japonezët, pasi nuk flas gjuhën e tyre, kur zbres në fushë vështirësitë zhduken. Fëmijët kudo në botë komunikojnë pa problem. Shpresoj që përmes bejzbollit dhe sportit në përgjithësi të dërgojmë këtë mesazh dhe të mbjellim farën e komunikimit për të kapërcyer dallimet mes kulturave".

Cal Ripken është ambasadori i dytë sportiv që emërojnë Shtetet e Bashkuara. Para tij ishte zgjedhur patinatorja Michelle Kwan. I pyetur për pagesën, Ripken, një ndër sportistët më të paguar në historinë e bejsbollit, tha me shaka kishte shpresuar për një kompensim të ngjashëm me atë që merrte gjatë karrierës sportive. Por në fakt ky mision është vullnetar dhe pa pagesë. //rd//

XS
SM
MD
LG