Lidhje

Një rezervat në Florida përpiqet të shpëtojë një elefant të rrezikuar


Elefanti aziatik besohet të jetë një nga kafshët më inteligjente në botë. Ai është gjithashtu më i rrezikuari. Por një rezervat në shtetin jugor të Floridës shpreson të shpëtojë këtë kafshë të madhe dhe të sigurojë ekzistencën e tij për gjeneratat e ardhshme.

Elefantët aziatikë kanë qënë argëtuesit në cirqet me famë botërore Ringling Brothers dhe Barnum & Bailey për gati 140 vjet. Adam Murdoch është një nga zbutësit e kafshëve në cirk.

“Shumë njerëz vijnë në cirk për të parë elefantët. Sa herë që i shohin në shfaqje apo në premierë e vlerësojnë praninë e tyre”.

Janice Aria, menaxhere për administrimin e kafshëve në cirkun Ringling Brothers thotë se elefantët aziatikë iu shtuan listës së specieve të rrezikuara tre vjet më parë.

“Është një situatë shumë e nderë. Sot llogaritet të kenë mbetur në natyrë vetëm 35 deri në 50 mijë elefantë. Gjendja në mjedisin e tyre natyror po vështirësohet për ta. Ka një zhvillim të madh ekonomik në vendet e tyre. Fatkeqësisht aty nuk ka vend për elefantët”.

Këtu hyn në lojë kompania Feld Entertainment, pronare e cirkut. Ata e krijuan këtë rezervat për të ruajtur, shtuar dhe kujdesur për elefantët aziatik. Qendra për Ruajtjen e Elefantëve u krijua në vitin 1995. Kur elefantët përfundojnë karrierën e tyre në cirk ata çlodhen këtu në këtë kopësht prej 81 hektarësh, të ndërtuar me 5 milion dollarë për t’u kujdesur për ta. Bruce Read është nënpresidenti i cirkut Ringling Brothers.

“Elefantët tanë janë të vlefshëm si në cirk edhe në qendrën për ruajtjen e tyre. Ne shpenzojmë 62 mijë dollarë në vit për kujdesin e çdo elefanti që kemi këtu”.

Stafi i specializuar kujdeset për 30 elefantët e qendrës shtatë ditë në javë. Në mëngjes elefantët zgjohen duke bërë pak fiskulturë dhe më pas zbutësja Trudy Williams i lan dhe i ushqen.

“Kjo është zakonisht dieta ditore e elefantëve. Secili nga këto dëngje me tërshërë është rreth 57 kilogram. Këtu pastaj ka rreth 5 kilogram karrota. Hanë edhe 2 kilogram kashtë”.

Michael Hayward dhe zbutës të tjerë të kafshëve në qendër thonë se kanë investuar shumë emocionalisht.

“Kam një marrëdhënie si baba, mesues me ta. Kaloj shumë kohë me ta. Ua njoh karakterin, çfarë u pëlqen, cilat ushqime u shijojnë”

Bruce Reid thotë se ruajtja e elefantëve aziatikë është një mision i rëndësishëm i qendrës.

“Është kopeja më e madhe në Amerikën e Veriut. Po punojmë për të arritur në pikën kur të realizojmë me sukses shtimin e kësaj popullate në kushte të një mjedisi jo-natyror”.

Qendra është bërë gjithashtu një pikë për studimin e elfantëve aziatikë. Studiuesit në mbarë botën vijnë këtu për t’i kuptuar më mirë gjitarët gjigandë. Trudy Williams beson se nuk ka gjë më të mirë sesa të dalësh në pension në Florida dhe të kesh këtë kujdes dhe vëmendje. //kk//

XS
SM
MD
LG