Lidhje

Dy kryetarët e komisionit të 11 shtatorit thonë se Amerika nuk është e sigurtë sa duhet


Dy kryetarët e komisionit të pavarur, që ka hetuar sulmet e 11 shtatorit 2001, Tomas Kejn dhe Li Hemilton, u thanë dje gazetarëve këtu në Uashington se Shtetet e Bashkuara janë sot më të sigurta sesa 6 vjet më parë kur u sulmuan nga al-Kaida. Megjithatë, ish guvernatori dhe ish anëtari i kongresit amerikan thanë gjithashtu se Amerika nuk është sa duhet e sigurtë, madje theksuan se politika e jashtme amerikane është sprapsur në përpjekjet për të parandaluar valën e ekstremizmit në botën myslimane. e Zërit të Amerikës sjell hollësi nga Uashingtoni.

Dy kryetarët e komisionit, që studjoi mësimet e nxjerra nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, iu kthyen përsëri punës, këtë herë për të vlerësuar nëse Shtetet e Bashkuara janë tani më të sigurta. Ish guvernatori i shtetit Nju Xhërsi, Tomas Kejn, beson se aftësitë mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara janë më të mira.

“Ne kemi bërë përparim në aftësitë tona për të zbuluar, parandaluar dhe përgjigjur sulmeve terroriste. Arritja e përparimit ka qënë e vështirë, nuk ka përfunduar ende, madje ka qënë i ngadaltë, megjithatë përparim është bërë”.

Zoti Kejn tha se qeveria federale ka zbatuar shumë prej rekomandimeve të bëra nga komisioni për parandalimin e sulmeve në të ardhmen. Megjithatë, ai shtoi se ai dhe ish anëtari i Kongresit Li Hemilton nuk janë të kënaqur me punën e qeverisë në frontin ndërkombëtar. Dy kryetarët e komisionit veçojnë Pakistanin si një vend, ku al-Kaida vazhdon operacionet e saj. Ata thonë se Pakistani duhet të jetë në krye të përpjekjeve për të shfarrosur al-Kaidën dhe Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë nëse Pakistani nuk e bën një gjë të tillë.

“Mendoj se ne jemi dakord që Iraku ka qënë një vend i rëndësishëm rekrutimi për terroristët dhe si rezultat ka një ndikim shumë më afat gjatë se sa do të kishte në rrethana të tjera”.

Zoti Hemilton thotë se tani terroristët e stërvitur në Irak do t’i hedhin sytë nga objektiva të tjera për një kohë shumë të gjatë pas përfundimit të konfliktit në Irak. //ze//

XS
SM
MD
LG