Lidhje

"Dhjetëgarëshi" i sistemit diellor


Në tetor, studentë nga gjithë Shtetet e Bashkuara do të mblidhen në Washington për të konkurruar në dhjetëgarëshin diellor, një veprimtari e organizuar nga Departamenti amerikan i Energjisë. Në këtë garë studentët gjenden përballë sfidës për të skicuar, ndërtuar dhe vënë në funksionim një shtëpi vetëm me energji diellore. Për këtë garë po përgatitet edhe një ekip studentësh i Universitetit të Merilendit:

“Kjo është dera kryesore e shtëpisë. Mirësevini në shtëpinë e gjetheve. Jemi ende në fazën e ndërtimit”.

Studenti i vitit të tretë të arkitekturës dhe menaxheri i ndërtimit John Kucia filloi bashkëpunimin me projektin për shtëpinë e gjetheve para rreth një viti. Që atëherë, 250 studentë, pedagogë dhe specialistë të ndërtimit kanë punuar për të realizuar sistemet e shumta me energji diellore të shtëpisë.

“Një nga gjërat që të bie në sy kur hyn është sistemi me rreze i dyshemesë. Ne po përdorim ujë të nxehtë me pompë që merret nga çatia e shtëpisë. Kemi një panel të veçantë që e kthen dritën e diellit në nxehtësi dhe më pas në gjendje të lëngshme. Ne pompojmë këtë lëndë të lëngshme përreth dyshemesë dhe ngroh shtëpinë”.

Paneli diellor që sapo është instaluar në çati do të çlirojë energji të mjaftueshme për të ngrohur dhe ftohur shtëpinë, për ndriçim dhe për sistemet e brendshme energjitike. Dhe pas më shumë se shtatë muajsh punë intensive, shtëpia po merr formë.

“Ne po punojmë për një sistem të sofistikuar. Sistemi kompjuterik do të kontrollojë të gjithë elementët mekanikë dhe elektrikë si edhe dritaret dhe dyert, ambjentin e brendshëm dhe të jashtëm që rregullon sistemet e shtëpisë”.

Studenti i inxhinierisë mekanike Tyler Sines parashikon që sistemi i ftohjes t’i japë ekipit një avantazh. Ai ishte një nga krijuesit e tij. Sistemi përdor një agjent të lëngshëm tharës që quajtur desikant. I zoti i shtëpisë do të jetë në gjendje ta shohë sesi rrjedh kjo lëndë nga një vitrinë e ndërtuar në mur. Sines thotë se kjo lëndë që do të duket si ujvarë kryen funksione estetike dhe praktike.

“Mund të jesh në gjendje ta shohësh lagështinë që del nga shtëpia. Po ashtu edhe desikantin që rrjedh poshtë. Po ashtu do të çlirojmë ajër për të neutralizuar lagështinë”.

Përgjatë një segmenti të një muri që sheh nga jugu është një element tjetër që i shërben kursimit të ujit dhe parandalimit të gërryerjes së territorit përreth shtëpisë.

“Ne po mbjellim shumë bimë pranë murit dhe kur ato të rriten muri do të jetë i mbuluar me gjelbërim. Sistemet e ulluqeve të çatisë do të ujisin këtë sistem vertikal bimësh”.

Studentët po punojnë për të realizuar një afat të mesit të tetorit, kur do ta transportojnë shtëpinë e gjelbër në Washington për kokursin. Ja ç’thotë studentja e arkitekturës, Brittany Williams.

“Ne duam të ndryshojmë mënyrën sesi funksionon ky profesion dhe t’u krijojmë shanse arkitektëve dhe inxhinierëve që vazhdimisht të bashkëpunojnë. Kështu shtëpia bëhet më e bukur dhe më funksionale”.

Pedagogia Julie Gabriellu shton se studentët kanë krijuar aftësi që do t’i ndihmojmë të përballëjnë sfidat e shekullit të 21-të.

“Shpresoj që me këtë përvojë, ata të mësojnë të vlerësojnë kompleksitetin, por edhe të krijojnë besim që gjërat zgjidhen kur punohet me njerëz që kanë specialitete dhe aftësi të ndryshme”.

Universiteti i Merilendit është mes 20 konkurrentëve në dhjetëgarëshin e sistemit diellor. Ekipi shpreson që vizioni i tij për shtëpinë e gjelbër, të fitojë. //iç//

XS
SM
MD
LG