Lidhje

SHBA bëjnë thirrje për pakësimin e gazeve të dëmshme


Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje vendeve që kontribuojnë më shumë në ndotjen e mjedisit që të bien dakord me objektivat afatgjata për pakësimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë. Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice e shprehu këtë qëndrim në fillim të një takimi dyditor për klimën në Departamentin e Shtetit.

Konferenca e Washingtonit u bë disa ditë pasi Kombet e Bashkuara mbajtën një takim të nivelit të lartë ku morën pjesë përfaqësues të 150 vendeve përfshirë Sekretaren Rice.

Zonja Rice u kërkoi vendeve në takimin e Washingtonit që të bien dakord me objektivat afatgjata për pakësimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe të punojnë me industrinë private për të zhvilluar teknologjitë që nuk pengojnë rritjen ekonomike. Ajo tha se çdo vend duhet të nxjerrë rregullat e veta sipas nevojave dhe kushteve të veta.

“Nëse vazhdojmë kështu, ne përballemi me një zgjedhje të papranueshme. Ose do të sakrifikojmë rritjen globale ekonomike për të siguruar shëndetin e planetit tonë, ose do të sakrifikojmë planetin duke vazhduar me shtimin e prodhimit të naftës. Ne nuk duhet të pranojmë të zgjedhim mes të dyjave”.

17 vendet e përfaqësuara në takimin e Uashingtonit shkaktojnë 80 për qind të ndotjes së botës. Shtetet e Bashkuara, Kina, dhe India janë kundër shkurtimeve të detyruara të gazeve që shkaktojnë efektin serrë që kërkohet nga OKB-ja dhe shumë vende evropiane sipas Protokollit të Kiotos që skadon në vitin 2012. Presidenti Bush e hodhi poshtë trakttatin për shkak të shkurtimeve të detyruara dhe sepse Kioto i përjashtonte ekonomitë në zhvillim si Kina dhe India.

Shtetet e Bashkuara janë angazhuar vetëm të ngadalësojnë ritmin e rritjes së gazeve që shkaktojnë efektin serrë. Zonja Rice tha se Presidenti Bush do ta bëjë një gjë të tillë përmes standardeve të detyrueshme për karburantet alternative dhe rritjen e efektivitetit të automjeteve.

Këtë javë në Washington, zyrtarët evropianë i inkurajuan senatorët amerikanë që të miratojnë kuadër ligjor detyrues për pakësimin e çlirimit të karbonit. Ministrja daneze e Mjedisit Connie Hedegaard tha:

“E di që në Shtetet e Bashkuara njerëzit do të thonë ‘do bëjmë siç duam vetë’ por duhet që ky proces të përfshihet në rrugën e OKB-së sepse përndryshe do të kemi shumë sisteme paralelisht dhe nuk do të ketë efektivitet”.

Para Departamentit të Shtetit kur po bëhej konferenca një grup demonstruesish hodhën parulla kundër Presidentit Bush.

Vetë presidenti nuk mori pjesë në takimin e OKB-së për klimën, por foli të premten në takimin e Washingtonit. //kk//

XS
SM
MD
LG