Lidhje

BE propozon “kartën blu” për të tërhequr punëtorë të kualifikuar


Bashikim Evropian është duke propozuar “kartën blu” për të tërhequr punëtorë të huaj të kualifikuar. Arësyeja është plakja e popullsisë dhe rënia e numrit të lindjeve në BE. Për të pasur punëtorët më të kualifikuar blloku prej 27 vendesh po përpiqet të konkurojë me sistemin e “kartës jeshile” të Shteteve të Bashkuara dhe programeve të tjera në vendet perëndimore.

Bashkimi Evropian thotë se për të plotësuar nevojat për njerëz të kualifikuar, gjatë 20 vjetëve të ardhshëm do të ketë nevojë për 20 milion emigrantë të kualifikuar. E ashtuquajtura karta blu do t’i joshë punëtorët, duke ua bërë më të lehtë që të punojnë në një vend tjetër të Bashkimit, të bashkohen me familjet e tyre, të kenë mundësi për strehim publik dhe të marrin leje afatgjata qëndrimi.

Për t’u kualifikuar për kartën blu, një emigrant do të ketë nevojë për një kontratë të paktën dy-vjeçare në BE. Kjo duhet t’i sigurojë atij një pagë minimale, të paktën sa trefishi i pagës minimale në vendin ku ai aplikon, si dhe sigurim shëndetësor.

Plani ka si qëllim të joshë inxhinierë, mjekë, infermierë dhe punëtorë të tjerë me kualifikime të larta nga vende të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, të cilët po vërshojnë në Amerikën Veriore dhe Australi.

Në një fjalim të fundit, Komisioneri Evropian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë dhe hartuesi i këtij plani, Franco Frattini, tha se është e rëndësishme për BE-në që të “bëhet një magnet i vërtetë për të thithur emigranëtët e kualifikuar”.

Zëdhënësi i zotit Frattini, Riccardo Mosca, i tha Zërit të Amerikës se qëllimi është që procesi të përshpejtohet. Ai tha se karta do t’i lejojë punëtorët e kualifikuar që, pasi kontratat e tyre të përfundojnë, brenda një afati kohor të caktuar, ata të kenë mundësi të gjejnë një punë tjetër. Gjithashtu, do të krijojë mundësinë që punonjësit të kthehen në vendin e tyre përkohësisht, pa pasur frikë se mund të humbasin kartën blu.

Por, Marco Manacorda, në Shkollën Ekonomike të Londrës, tha se t’i bindësh punëtorët për të mos shkuar në vende si Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë ndryshime planit të tanishëm. “”Nuk mund të them me siguri se deri në çfarë mase mundet që Evropa të konkurojë vërtet me Shtetet e Bashkuara për të tërhequr punonjës të huaj të kualifikuar, pasi pagesat për njerëzit e kualifikuar në Shtetet e Bashkuara janë shumë më të larta nga ato në Evropë. Kështu që, është e vështirë që të thuash tani se kjo politikë do të jetë e sukseshme”.

Sipas Komisionit Evropian, rreth 25 milion evropianë pritet të dalin në pension dhe deri në vitin 2050, mbi një e treta e popullsisë do të jetë mbi moshën 65 vjeç.

Por për këto propozime, që tani ka pasur kundërshtime nga sindikatat, të cilët shqetësohen se karta blu mund të dëmtojë shanset e kualifikimit të punëtorëve të Bashkimit Europian. Komisioni ka thënë se qytetarët e BE-së do të vazhdojnë të kenë përparësi në tregun e punës të vendeve anëtare. //ii

XS
SM
MD
LG