Lidhje

Putin nderon 20 mijë të ekzekutuarit në Butovo në periferi të Moskës


Presidenti rus Vladimir Putin përkujtoi më shumë se 20 mijë njerëz të ekzekutuar në një vend pranë Moskës gjatë terrorit stalinist në vitet 1937-38. Presidenti rus tha se ndër të pushkatuarit kishte njerëz tejet të njohur dhe me ndikim.

Në një mot të vrejtur, Presidenti Putin vuri një kurorë me lule në kryqin qe nderon mbi 20 mijë viktimat e pushkatuara në Butovo, në pjesën jugore të Moskës. Zoti Putin tha se rusët duhet të kujtojnë tragjedinë e viteve 1937-38.

"Udhëheqësi rus thotë se jetët e miliona njerëzve u shkatërrun. Ata u pushkatuan, degdisën në kampe pune dhe torturuan. Ata ishin njerëz që nuk kishin frikë të shprehnin idetë e tyre, ...ishin njerëzit më me ndikim....lulet e vendit...tha presidenti rus".

Vjaçeslav Nikonov, nipi i Vyacheslav Molotovit, zyrtarit të lartë të kohës së Stalinit, i tha Zërit të Amerikës se kishte biseduar me gjyshin e tij rreth terrorit të madh. Ndërkohë që zoti Nikonov e dënon shtypjen komuniste, ai thotë se Molotovi dhe komunistët e tjerë, ndiheshin të justifikuar në atë kohë.

"Terrori ishte i justifikuar bazuar në logjikën e atëhershme, bazuar në radhë të parë në përvojën, që kishin përjetuar bolshevikët, që nënkupton tmerret e Luftës Civile në Rusi dhe gjithashtu bazuar në besimin komunist, se lufta për egzistencë me Gjermaninë ishte e pashmangshme".

Ndërkohë në Moskë, në përkujtimin e terrorit komunist, një organizatë e të drejtave të njeriut, vazhdoi leximin e emrave të terrorit komunist në qendër të qytet, para ish zyrave të Policisë Sekrete Ruse, përgjegjëse e terrorit të madh.

Ndër aktivistët është edhe Lev Ponomarev, i cili thotë se në Rusi edhe sot ka të paktën 100, por ndoshta deri në 1 mijë të burgosur politikë.

Zoti Ponomarev i tha Zërit të Amerikës se burgosja për arsye politike është vepër e atyre njerëzve, që vazhdojnë të besojnë në parimet e Çekës, organizatës së parë të sigurimit famëkeq rus. Zoti Putin vazhdon të flasë me respekt për Çekën dhe KGB-në, ku edhe sherbente si agjent. Çeka u transformua në vitin 1922 në NKVD, e cila ishte përgjegjëse për terrorin e madh. Ndërsa më pas KGB-ja mbajti burgje sekrete deri sa u shpërbë Bashkimi Sovjetik.

"Zoti Ponomarev thotë se njerëzit që flasin mirë për Çekën, janë ata që besojnë në shtypjen e të tjerëve për arsye politike. Sipas aktivistit Ponomarev, zoti Putin dhe të tjerët që kujtuan viktimat e shtypjes Sovjetike, e bënë këtë thjesht për të përfituar nga Perëndimi dhe kryesisht si fushatë publike".

Ky vit shenon 70 vjetorin e terrorit të madh. Një anketë nga Qendra Ruse për Opinionin Publik tregon se 44 përqind e popullsisë nuk kanë njohuri për atë periudhë të historisë. Por vetëm dy përqind janë dakord se shtypja ishte e justifikueshme. //iç//

XS
SM
MD
LG