Lidhje

Ndikimi i tensioneve Turqi-Irak mbi ekonominë lokale


Në pikën kryesore të kalimit kufitar midis Irakut dhe Turqisë shoferët e kamionëve dhe të taksive janë të shqetësuar se së shpejti ajo mund të mbyllet, pasi qeveria e Turqisë po kërcënon për ndërhyrje ushtarake në veri të Irakut. Shoferët thonë se do të humbasin punën dhe se bizneset në të dyja anët e kufirit do të mbyllen.

Vargu i gjatë i kamionëve dhe taksive pret radhën në pikën e kalimit kufitar në veri-perëndim të Irakut. Kjo rrugë është më e sigurta për kamionët që transportojnë gjithçka, që nga karburanti e deri tek çimentoja.

Ushtria turke është përqëndruar në kufi, e gatshme për të sulmuar bazat e rebelëve të Partisë Punëtore të Kurdistanit, PKK në veri të Irakut. Ankaraja thotë se rebelët janë duke ndërmarrë sulme brenda Turqisë dhe së fundi vranë 12 ushtarë në një pritë në pjesën juglindore të vendit. Shumica e shoferëve që kalojnë kufirin janë kurdë, nga Iraku dhe nga Turqia.

Shumë kurdë në Irak thonë se Turqia është duke përdorur PKK-në si shkak për të sulmuar rajonin verior të Kurdistanit në Irak. Ata thonë se Ankaraja është e shqetësuar se përparimi ekonomik dhe politik i rajonit gjysëm-autonom do të nxisë kurdët në Turqi të kërkojnë autonominë e tyre. Baha Aden Mohamed, një shofer taksie turk është i shqetësuar për të ardhmen e tij. Ai thotë se biznesi ka rënë në mënyrë të ndjeshme, pas kërcënimeve për ndërhyrje ushtarake të Turqisë. Shoferët e taksive do të humbasin punën, në qoftë se Turqia do të mbyllë kufijtë, ankohet ai.

Të dyja anët e kufirit varen nga njera-tjetra. Shumë biznese nën pronësinë e turqve janë pranë qyteteve irakiane dhe i furnizojnë ato me mallra të ndryshme. Kohët e fundit, disa nga këto biznese janë mbyllur për shkak të frikës së sulmeve pranë kufirit nga ushtria turke.

Kryeministri i turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka kërcënuar për sanksione mbi eksportin si presion mbi qeverinë e Irakut për të luftuar rebelët. Një shofer kamioni thotë se në qoftë se Turqia mbyll kufirin, ajo do të humbasë tregëtinë që zhvillohet nga të dyja anët e kufirit.

Në kufi, një irakian tha se ai ndihmon kompanitë turke në veri të Irakut me përkthimin e dokumentave nga turqishtja në gjuhën kurde. Ai thotë se të kalosh kufirin për në Turqi është tepër e mundimshme. "Është shumë e vështirë të kalosh kufirin. Në pikën e kontrollit rradha është e gjatë sepse rojet kontrolljnë gjithçka," thotë ai.

Si shumë të tjerë në veri të Irakut, edhe përkthyesi mendon se problemi kufitar midis qeverisë turke dhe rebelëve mund të zgjidhet më mirë me diplomaci se sa me dhunë. //ad//

XS
SM
MD
LG