Lidhje

Itali: Autoritetet premtojnë arrestime të tjera në radhët e mafias


Hetuesit italianë kanë identifikuar vilën ku jetonte bosi i ri i mafias siciliane Salvatore Lo Piccolo, para se të arrestohej nga policia. Autoritetet gjithashtu premtuan arrestime të tjera të anëtarëve të mafias. Lo Piccolo u arrestua të hënën dhe zyrtarë të lartë italianë thonë se tani organizatat kriminale kanë mbetur pa udhëheqje.

Hetuesit italianë thonë se do të ketë arrestime të tjera të njerëzve të dyshuar si mafiozë pas bastisjes së ditës së hënë në një shtëpi fshati pranë kryeqytetit të Sicilisë, e cila çoi në arrestimin e 4 nga të 30 mafiozëve më të kërkuar, të cilët po zhvillonin një takim të krerëve të Mafias. Mes tyre, Salvatore Lo Piccolo mendohet se është bosi i bosëve, i zgjedhur rishtazi prej tyre.

Policia thotë se ka identifikuar vilën ku jetonte bosi dhe po analizojnë një numër shënimesh, ose “pizzini”, siç quhen letrat me të cilat bosët e mafias japin udhëzimet e tyre si dhe dokumente të tjera të gjetura gjatë bastisjes.

Ministri i Brendshëm, Giuliano Amato tha dje se lufta kundër krimit të organizuar mafioz do të vazhdojë, për të arrestuar edhe anëtarë të tjerë të mafias.Ne po vazhdojmë me veprime më intensive dhe më efikase, të cilat arritën pikën kulmore me arrestimin vitin e kaluar të Salvatore Provenzanos, të cilit Lo Piccolo mendohet se i zuri vendin si bosi i bosëve.

Hetuesit italianë thanë se arrestimi i Salvatore Lo Piccolos, i cili i ka shpëtuar drejtësisë që prej 20 vjetësh, ishte një goditje e rëndë për mafian. Ja si shprehet Pietro Grasso, kryeprokurori i antimafias: "Për ne, komisioni provincial që drejton veprimtarinë strategjike të Koza Nostrës nuk ekziston më. Ky komision është shkatërruar plotësisht dhe me sa dimë ne nuk ka më një udhëheqje."

Por hetuesit pranojnë gjithashtu se Mafia ka aftësinë për t’u rimëkëmbur me shpejtësi. "Mafia nuk është më një sekt i fshehtë që ekziston si kundërvënie ndaj shtetit. Ajo është ende një organizatë e fortë kriminale me ndikim të vazhdueshëm dhe me një numër të rëndësishëm degësh," thotë Antonio Manganelli, shefi i policisë dhe drejtori i sigurisë publike të Italisë.

Por, shton ai, shteti ka fuqinë për ta luftuar mafian dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. //ii

XS
SM
MD
LG