Lidhje

Pacolli: Bisedimet duheshin mbajtur në Prishtinë, apo Beograd...


Më 17 nëntor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal, të cilat vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të periudhës politike në të cilën zhvillohen, kur Kosova është në prag të përmbylljes së procesit për zgjidhjen e statusit të saj politikë. Rreth 100 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje që këtë radhë mbahen me lista të hapura. Zëri Amerikës po transmeton një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike.

Në një intervistë për programin tonë, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli shpalos disa nga arsyet e pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Zoti Pacolli njihet si një afarist kundërthënës, për shkak të lidhjeve të tij të biznesit me Rusinë dhe vende të tjera të dala nga ish Bashkimi Sovjetik. Në intervistën që zhvilloi me të korrespondenti ynë në Prishtinë Besim Abazi, zoti Pacolli ka tërhequr vërejtjen se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të duhej të ishin zhvilluar në Serbi dhe në Kosovë e jo jashtë tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, partia juaj është ndër forcat më të reja politike në Kosovë. Përse keni zgjedhur pikërisht këtë kohë që të bëheni pjesë e procesit politik, përkatësisht pjesë e zgjedhjeve?

Behxhet Pacolli: Mbas mbarimit të luftë dhe fillimi i një jete të re në Kosovën e lirë, de fakto të lirë, të pavarur, është pritë që të qeverisë një gjeneratë e re me një vizion të ri në Kosovë, e cila do të jetë në gjendje të formojë një qeveri funksionale, transparente, dinjitoze që do të punonte për interesa të qytetarit. Dhe kaluan shtatë vite, kjo nuk ndodhi. Duke para situatën kaotike këtu në Kosovë, e ndjeva përgjegjësi morale t’i kthehem Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, çfarë ndryshoni ju nga të tjerët dhe pse duhet të votohet për ju?

Behxhet Pacolli: Shiqo, unë kam sfiduar perëndimin me punë dhe nuk kam dështuar deri tani. Kam dëshmuar se unë di të punojë normalisht, kam krijuar rrethin tim të miqve. Dhe këtu në Kosovë kam parë si të parët partnerët e mi në këtë drejtim kanë sfiduar. Dhe kam pa se gjërat janë mund të ecin ndryshe. Tani unë këtu, qytetarët e Kosovës këtu, unë qytetarëve të Kosovës u kam paraqitë një program dinjitoz, një program të kapshëm, i cili arrihet vetëm me punë. Për implementimin e këtij programi ekzistojnë disa kushte. Ekziston kushti që ne të kemi mazhorancën në Parlament. Të ndërrojmë mënyrën e funksionimit të parlamenti. Situata kaotike më 15-16 ministri në një Kosovë të vogël prej 10 mijë kilometrash katrorë dhe dy milion qytetarësh, më duket e tepërt.

Zëri i Amerikës: A po ofroni ju në këtë mënyrë ndryshimin e sistemit qeverisës në Kosovë, përkatësisht a po ofroni një sistem presidencial?

Behxhet Pacolli: Unë jam ithtar i palodhur i qeverisjes presidenciale, duke e ditë se demokracia është baza e shoqërisë sonë kosovare. Mirëpo më duket se kjo demokraci është e keqtrajtuar, është e keqkuptuar dhe këtu në veprimin duhet të mbizotërojë edhe monitorimi, gjegjësisht kontrolli. Mbasi që kemi parë si keqtrajtohet buxheti i Kosovës, si qeveritarët kanë punuar deri tani dhe kjo më shtyen edhe më shumë të besojë në atë që Kosovës i nevojitet një zot shtëpie, i nevojitet një president i cili do të zgjidhej nga qytetari.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, e përmendët buxhetin e Kosovës. Shumë projekte ofrohen tani në fushatën zgjedhore, por si do të realizohen këto dhe ta zëmë edhe programi i partisë suaj me një buxhet të tillë çfarë e ka Kosova?

Behxhet Pacolli: Unë kam deklaruar qysh në fillim se buxheti i Kosovës, i një qeverie të AKR-së do të jetë prej viti 2009 mbi një miliardë e 600 milionë. Pse e them këtë? Ne e kemi kalkuluar, kemi një kalkulim shumë të qartë mbas një monitorimi ne që kemi bërë në Kosovë. Kemi monitoruar tre muaj, 90 ditë, kemi monitoruar situatën në Kosovë. Dhe kemi pa se sa buxheti i Kosovës nuk vjelet ashtu si duhet. Praktikisht në bazë të kalkulimeve tona, 120 për qind të buxhetit të Kosovës sot nuk hyn në kasën shtetërore.

Zëri i Amerikës: A janë bërë projeksionet edhe të ekspertëve tuaj për buxhetin e ardhshëm të Kosovës që thatë se do të jetë shumë më i lartë, edhe mbi buxhetin e zotit Behgjet?

Behxhet Pacolli: Jo, kishte me qenë një gjë absurde që këtu të mirren kalkulimet e një privati. Jo. Ne, normalisht, eksperienca ime që kam pasë deri tani, ajo do të funksioniojë edhe në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, për fund, Kosova gjendet në periudhë mjaft të ndjeshme të zhvillimit të procesit politikë për të ardhmen e saj politike. Si e shihni ju zhvillimin e këtij procesi në vazhdim?

Behxhet Pacolli: Unë personalisht, këta tre muaj të zgjatjes së negociatave nuk i kam pa aq negative. Unë kam shique nga aspekti pozitiv, t’i jipet edhe njëherë shansi dialogut. Dhe si duket Serbia nuk ka kooperuar sa duhet. Serbia nuk ka kooperuar. Ndoshta prej një aspekti se komuniteti ndërkombëtarë është dashtë që këto konferenca ndoshta t’i bëjë jo në Vjenë e Londër, por t’i bëjë dikund në Beograd, Kragujevc, në Prishtinë, Prizren. Dhe të fillohet një kooperim në këtë drejtim. Që këto konferenca të shkonin, të themi, të bisedohet jo me përkthyes, po drejtpërsëdrejti. Secili prej nesh njef gjuhën, mentalitetin. Dhe këto konferenca të bëhen ndoshta me një gradë më pak oficiale, diku në mes oficiale dhe jo oficiale. Dhe është dashtë nga Kosova pak a shumë të lobohet edhe më tepër. T’u tregohet serbëve se me një pranim të realitetit, që pranohet pavarësia e Kosovës, Serbia nuk do ta humb Kosovën Kosova është këtu, ajo do të jetë aty gjithmonë dhe nuk do të, nuk ka ndodhë asgjë jonormale. Pavarësia do të vjen, është fakt se do të vjen. Kishte me qenë më mirë që kjo pavarësia po të ishte akceptuar nga fqinjët tanë të veriut dhe nga Këshilli i Sigurimit normalisht, do të ishte një pavarësi e shëndoshë, një pavarësi e seruar në tavolinë. Por kjo si duket nuk do të ndodhë dhe Kosova do të shpallë njëanshëm pavarësinë. Normalisht ky hap duhet të bëhet shumë me kujdes. Do të shpallje atëherë kur ne do të kishim siguresën se do të pranohej prej miqve tanë tradicional, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe pjesës më të madhe të Bashkimit Evropian.//lk

XS
SM
MD
LG