Lidhje

Nexhat Daci shpalos arsyet e pjesëmarrjes në zgjedhjet e Kosovës


Më 17 nëntor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal, të cilat vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të periudhës politike në të cilën zhvillohen, kur Kosova është në prag të përmbylljes së procesit për zgjidhjen e statusit të saj politikë. Rreth 100 subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje që këtë radhë mbahen me lista të hapura. Zëri Amerikës ka filluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin tonë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci shpalos disa nga arsyet e pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Zoti Daci, i cili themeloi një parti të re pas ndarjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte i njohur me përplasjet e tij me praninë ndërkombëtare në Kosovë. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Daci thotë se vizita e presidentit amerikan George Bush në Tiranë ishte shansi më i mirë që Prishtina të marrë mbi vete përgjegjësitë për të ardhmen e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, partia juaj është relativisht e re në skenën politike e cila doli nga zhvillimet e brendshme në këtë skenë politike. Si hyni në këto zgjedhje dhe përse keni vendosur të hyni në to?

Nexhat Daci: Po unë do të pajtohesha që është e re, si emër I ri, ndërsa si traditë është 18 vjet, është vazhdimësi e një intelektualizmi, e një truri të Fehmi Aganit dhe e liderit historik, e një lideri të verifikuar në kohë, Dr. Ibrahim Rugovës. Ndërsa në zgjedhje hyjmë pikërisht për shkak të asaj që ngjau para shumë muajve në shtëpinë e vjetër, që ngelëm 50 për qind jashtë strukturave ekzekutive të partisë. Ishte një kërkesë unanime e elektoratit që beson në atë filozofi që e ceka që të krijojmë një shtëpi të re. Dhe ja ku jemi në shtëpinë e madhe të LDD-së.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, çfarë ofron kjo shtëpi e re siç e quani ju partinë tuaj dhe përse duhet të votohet për ju?

Nexhat Daci: Po pikërisht kjo është esenca që unë besoj që dallojmë në plotni nga të tjerët. Kosova është e frustruar dy vitet e fundit në plotni. Është e frustruar me gjendjen e saj në ekonomi, me gjendjen e saj në arsim dhe shkencë, me jetën në shëndetësi dhe programe të pensioneve. Dhe këtë frustrim, në qoftë se dikush nuk është në gjendje që të krijojë mekanizëm për ta menaxhuar, do të rrezikoheshim përsëri, do të riciklonim një krizë jo vetëm në Kosovë dhe në Ballkan. Prandaj ofrojmë diçka të re, konkrete të përcaktuar në kohë. Ofrojmë që viti i parë i qeverisjes me Dacin dhe LDD-në do të krijojë mekanizma të sigurt me buxhet të paraparë të mundshëm për Kosovën që në 2008 në plotni të paqësohet Kosova. Në ekonomi, duke aplikuar ligjet e tregut dhe si parti e qendrës së djathtë me uljen e tatimeve dhe shtrirjen e inkasimit të tyre. Me krijimin e mundësive ligjore që investitorëve, unë nuk them të huaj, por të mërgatës së fuqishme të Kosovës në Amerikë dhe Evropë, që ta sjellim. Një relaksim të mundshëm sepse do të jemi zot të shtëpisë në tërë operacionalizimin e politikave fiskale dhe të ekonomisë. Në arsim është përgatitur një plan ofansiv që në vitin e parë arsimi ta merr çmimin e merituar dhe të krijojë një politikë të relaksuar në Kosovë. Të njëjtën gjë në shëndetësi. Dhe Kosova e paqësuar me këtë mekanizëm është e aftë që në vitet tjera të qeverisjes të hyjë në projekte nacionale, ku do të fillojë një punësim cilësor dhe i vërtetë. Dhe këto projekte do të jenë kryesisht të bazuar për ta ndihmuar biznesin e vogël dhe të mesëm në bujqësi dhe në industrinë e lehtë. Planifikojmë që Kosova ka rezerva të ujit dhe të shkojmë me akumulime në lumin Lepenc dhe në lumin Moravë me qëllim që të krijohen parakushtet. Dhe një dinamikë e këtillë e përkrahur nga kapitali botërorë që është, atëherë do të fillonim projektet nacionale në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe ajrore për ta kyçë Kosovën në korridoret ndërkombëtare. Të mos e lëmë siç është projektuar si “zorrë qorre” në organizmin e Evropës. Dhe jam shumë i bindur që elektorati do ta përkrahë këtë dhe unë kam përgatitur në fazën përfundimtare që do t’i ofrojë një marrëveshje elektoratit në formë të kontratës me obligime të nënshkruara nga Daci dhe në kohë të caktuar që do të realizoheshin.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, përmendet të huajt. Jeni shquar për përplasje të shpeshta më praninë ndërkombëtare në Kosovës gjatë periudhës sa keni qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës. Po kjo detyrë është përcjellë me mjaft kundërthënie. Si do të veprojë zoti Daci në të ardhmen?

Nexhat Daci: Jo. Ka filluar të mirëkuptohet përplasja ime. Daci kishte kërkuar në parlament që në 2004 të shpallet pavarësia. Daci ka ofruar një partneritet shumë të fuqishëm dhe të gjithë ndërkombëtarët kanë qenë shumë të lumtur se ajo marrëveshje që është arritur me Dacin është realizuar në plotni. Ndërsa pas Dacit, ndërkombëtarët kanë arritur marrëveshje për gjithçka por nuk është realizuar asgjë në Kosovë dhe Kosova është frustruar në plotni.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci. Kah po shkon procesi politik për zgjidhjen e statusit politikë për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas jush?

Nexhat Daci: Ne kishim një shansë ideale me vizitën e presidentit Bush në Shqipëri. Ishin mesazhet shumë të qarta që liderët e një vendi të vogël të marrin përgjegjësitë mbi vete. Që të krijojnë një Kosovë funksionale. Ta bindin qytetarin e vet që mund ta drejtojnë Kosovën si shtet dhe t’i marrin përgjegjësitë. Nuk u demonstrua asgjë. Një shans e dytë nuk do të krijohet në dhjetor. Do të donim dhe do të votoja me sinqeritetin më të madhe për atë, por nuk do të krijohet. Prandaj e besoj që zgjedhjet që po vijnë, duhet të krijojnë një rezultat real të forcës së Kosovës në resurset e saja humane.

XS
SM
MD
LG