Lidhje

Sot në Bruksel një tjetër raund bisedimesh për statusin e Kosovës


Diplomatët nga Bashkimi Europian, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara zhvillojnë sot në Bruksel një raund tjetër bisedimesh lidhur me të ardhmen e Kosovës, ndërkohë që afrohet 10 dhjetori kur skadon afati i negociatave.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Volfgang Ishinger, tha se negociatorët kanë bërë gjithçka mundën për të afruar pozicionet e Prishtinës dhe të Beogradit. Ai tha dje se diplomatët eksploruan të gjitha alternativat e mundëshme në një proces negociues të sinqertë dhe intensiv, siç e quajti ai.

Deri tani është bërë shumë pak përparim në bisedime dhe të paktë janë ata që presin ndonjë sukses të negociatave. Administrata e Presidentit Bush e ka quajtur të pashmangëshme pavarësinë e Kosovës.

Dje, Bashkimi Europian i bëri thirrje ish udhëheqësit të UÇK-së Hashim Thaçi, i cili fitoi në zgjedhjet e së shtunës dhe pritet të zgjidhet kryeministër, që të mos nxitohet për të shpallur në mënyrë të njëanëshme pavarësinë nga Serbia. Ministrat e jashtëm të Bashkimit e bënë thirrjen dje gjatë një takimi në Bruksel, pas premtimeve të zoti Thaçi se ai do të jetë kryeministër i një Kosove të pavarur.

Ministri i jashtëm suedez Carl Bildt tha se një lëvizje e nxituar për të shpallur pavarësinë nga Serbia do ta izolojë më tepër Kosovën dhe do të verë në rrezik mbështjen e komunitetit ndërkombëtar. "Kosova është qysh tani de fakto e pavarur nga Serbia. Nuk mendoj se Kosova do të dëshironte të ishte e pavarur nga komuniteti ndërkombëtar. Ata me siguri do të dëshironin të ishin nën mbrojtjen e NATO-s, do të donin të kishin mbështetjen e gjithanëshme të Bashkimit Europian. Nuk mendoj se zoti Thaçi duhet ta bëjë Kosovën të pavarur nga komuniteti ndërkombëtar," tha ministri i jashtëm suedez. //ii

XS
SM
MD
LG