Lidhje

Sot në Bruksel zhvillohet një raund tjetër bisedimesh Prishtinë-Beograd


Ish udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi, tha se Kosova nuk do të nxitohet të shpallë pavarësinë nga Serbia pa bashkëpunimin e partnerëve të saj ndërkombëtarë.

Zoti Thaçi, i cili shpalli fitoren si kryeministër i ardhshëm i Kosovës në zgjedhjet e së shtunës, tha se autoritetet shqiptare nuk do të marrin asnjë vendim pa bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ai i bëri këto komente sot në Bruksel, ku ndodhet për një raund tjetër bisedimesh me Serbinë lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.

Delegacioni serb paraqiti sot një propozim tjetër mbi marrëdhëniet me Kosovën, i ngjashëm me statusin që gëzojnë disa ishuj të Finlandës, që garanton autonomi të gjerë, por jo pavarësi. Pala shqiptare këmbëngul në kërkesën për pavarësi të plotë nga Serbia.

Të dërguarit ndërkombëtarë po bëjnë edhe një përpjekje tjetër për të siguruar një farë marrëveshje nga të dyja palët. Bisedimet e drejtëpërdrejta midis shqiptarëve dhe serbëve mbi statusin përfundimtar të Kosovës përfundojnë më 10 dhjetor. Deri tani është bërë fare pak përparim dhe vetëm pak njerëz të angazhuar në bisedime po shfaqin shpresë për ndonjë rezultat.

Negociatorët e të dy palëve u takuan veças me ndërmjetësin amerikan, atë rus e evropian, para bisedimeve të tyre të drejtëpërdrejta.

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Volfgang Ishinger, pritej të propozonte të ashtuquajturën marrëveshje mbi statusin neutral për Kosovën. Në bazë të saj, Prishtina dhe Beogradi do të binin dakord mbi çështje tregëtare, të kufirit dhe çështje të tjera praktike pa prekur çështjen e pavarësisë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve që t’u përgjigjen në mënyrë konstruktive ideve të paraqitura nga ndërmjetësit. (ze)

XS
SM
MD
LG