Lidhje

Rëndësia strategjike e Pakistanit për rajonin aziatik dhe për SHBA


Tre javë pasi presidenti Pervez Musharaff vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, trazirat politike në Pakistan vazhdon të dominojnë në mediat botërore. Megjithëse presidenti Bush tha se gjenerali pakistanez ka bërë më shumë për demokracinë në vendin e tij se çdo udhëheqës tjetër i kohës moderne, ekziston shqetësimi se lufta e shtetit bërthamor pakistanez kundër terrorizmit mund të dobësohet. Po le t’i hedhim një vështrim rëndësisë strategjike të Pakistanit për rajonin e Azisë Jugore dhe për Shtetet e Bashkuara.

Pakistani ka patur një rëndësi strategjike që nga dita e vitit 1947 kur britanikët e shkëputën atë nga India. Republika e re kufizohej me Indinë, Kinën, Afganistanin dhe Iranin dhe kishte lidhje të ngushta me ish Bashkimin e atëhershëm Sovjetik. Disa analistë indianë argumentojnë se britanikët e krijuan qëllimisht Pakistanin i cili për shkak të tensioneve me Indinë, mund të përdorej nga perëndimi si një post dëgjimi për të spiunuar mbi fqinjët e tjerë të mëdhenj.

Por analisti i njohur i Institutit Cato Leon Hadar, nuk është dakord me këtë. "Nuk mendoj se planet shkonin kaq thellë. Mendoj se ndarja u nxit nga çështjet gjeo-politike që ishin atë kohë dominuese në politikën e jashtme britanike. Por nuk ka dyshim se si rezultat, Pakistani doli në skenë si një lojtar strategjik shumë i rëndësishëm". Hadar thotë se Pakistani mbeti i tillë gjatë Luftës së Ftohtë për shkak se ishte aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara në një kohë kur India shihej të ishte në kampin sovjetik.

Rëndësia strategjike e Pakistanit u rrit kur sovjetikët pushtuan Afganistanin në vitin 1979. Ai thotë se presidenti Reagan e cilësoi atë si shtetin kryesor në përpjekjet për të larguar sovjetikët nga Afganistani.

Walter Andersen, profesor për marrëdhëniet e Azisë Jugore në Universitetin Johns Hopkins, thotë se me rrjetin e al-Kaidës dhe Osama bin Ladenin e fshehur në malet e Pakistanit veriperendimor, ky vend është shumë i rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara. "Gjeografikisht Pakistani është në hyrje të Gjirit Persik dhe të gjitha burimeve të naftës. Ai ka armë bërthamore. Të gjitha këto e bëjnë të rëndësishëm, veçanërisht në se fondamentalistët islamikë i marrin ato në duart e tyre".

Analistja politike Farhana Ali në Korporatën Rand pohon të njëjtën gjë. Ajo thotë se aleanca midis Washingtonit dhe Islamabadit duhet të shihet në prizmin e luftës kundër terrorizmit e cila vazhdon. "Tani që Shtetet e Bashkuara e shohin që al-Kaida kërcënon jo vetëm Shtetet e Bashkuara por mbarë botën, është në interesin jetik të Amerikës të jetë aleate me Pakistanin për të luftuar kundër ekstremistëve brenda dhe jashtë kufijve".

Disa anëtarë të kongresit mendojnë se Amerika duhet të ndërpresë ndihmën prej miliarda dollarësh që i dërgohet ushtrisë pakistaneze për të luftuar ektremistët. Andersen i universitetit Johns Hopkins thotë se do të ishte marrëzi që Shtetet e Bashkuara të prisnin lidhjet. "Atëherë do të prisje çdo mundësi për të ndikuar mbi Pakistanin ose do të prisje të gjitha lidhjet me ushtrinë. Mirëpo në ushtrinë pakistaneze ka një brez të tërë njerëzish që nuk kanë patur asnjë lidhje me Shtetet e Bashkuara dhe kjo mund të ketë pasoja sepse lidhjet personale luajnë rol".

Presidenti Bush vazhdon t’i bëjë thirrje gjeneralit Musharraf të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve dhe të vendosë demokracinë në Pakistan. Analisti Hadar i institutit Cato thotë se Washingtoni duhet të përqëndrohet në ndihmën ndaj Pakistanit për të luftuar terroristët. "Në se do të zgjidhja midis një “Xhefersoni pakistanez” i cili nuk është në gjendje ta arrijë këtë synim dhe një diktatori shtypës që e bën këtë, do të zgjidhja të dytin", thotë Hadar.

Ekspertë të tjerë mendojnë se edhe India është e shqetësuar për gjendjen në Pakistan për shkak të situatave politike kaotike në Nepal, Bangladesh dhe Sri Lanka. Inder Malhotra, një nga komentatorët më të njohur të Indisë i cili ka lidhje të forta me New Delhin, thotë se India mund të gjendet në një det me kaos rreth saj. "Nuk mund të minimizojmë as rëndësinë strategjike të Pakistanit për qëndrueshmërinë e gjithë rajonit, as pasojat e një anarkie të plotë apo të përparimit të ekstremizmit islamik në atë vend". Molhotra thotë se në se terroristët xhihadistë pro-talebanë marrin pushtetin në Pakistan, atëhere ky do t’i ngjante një regjimi taleban me armë bërthamore dhe Shtetet e Bashkuara bashkë me Indinë do të ishin objektivat e tij kryesorë. //rd//

XS
SM
MD
LG