Lidhje

Shtetet arabe do të dërgojnë ministrat e jashtëm në konferencë


Pas dy ditësh bisedimesh urgjente në kryeqytetin egjiptian, shtetet arabe kanë rënë dakord që të dërgojnë ministrat e jashtëm në konferencën e paqes në Anapolis të Merilendit javën e ardhshme. Arabia Saudite thotë se do të marrë pjesë, duke rënë dakord që të takohet me zyrtarët izraelitë për herë të parë që prej 16 vjetësh.

Ministrat e jashtëm arabë që mbajtën takim në Kajro ranë dakord të marrin pjesë në konferencën e paqes në Anapolis që fillon javën e ardhshme. Ministri i Jashtëm saudit Saud al-Faisal tha se shtetet arabe synojnë të bëjnë përpjekje për që marrëveshje paqeje të hollësishme që mbron interesat arabe dhe palestineze dhe jo për një shfaqje teatrale përshëndetjesh para kamerave. Ai tha se nuk përbënte ndonjë sekret fakti që Arabia Saudite kishte hezitime për pjesëmarrjen në konferencën e Anapolisit. Ai tha se mbretëria e tij nuk do të merrte pjesë po të mos bëhej fjalë për konsensusin arab që u arrit në takimin e Kajros.

Si shumë vende arabe, Arabia Saudite nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Vetëm Egjipti dhe Jordania kanë nënshkruar marrëveshje paqeje me shtetin hebraik. Presidenti Palestinez Mahmoud Abbas, grupi Fatah i të cilit kontrollon Bregun Perëndimor të pushtuar tha se takimi i Anapolisit do të ishte një shans historik. Ai tha se shpreson që vëllezërit arabë do të negociojnë në Anapolis me një zë për çështjet e tyre të përbashkëta.

Por grupi ekstremist islamik Hamas që kontrollon Rripin e Gazës, u kërkoi shteteve arabe që të mos ndërmarrin hapa drejt normalizimit të të marrëdhënieve me Izraelin.

Në Gazë, mijëra përkrahës të Hamasit dhe grupeve të tjera ekstremiste protestuan kundër konferencës së Anapolisit. Hamasi nuk ishte ftuar në takim dhe e ka hedhur poshtë idenë e negociatave të paqes me Izraelin. Një zëdhënës i qeverisë së Izraelit e përshëndeti menjëherë vendimin e vendeve arabe për të marrë pjesë.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe Amr Moussa tha se ministrat e jashtëm të vendeve arabe do të takohen përsëri në Washington të hënën, pak para se të hapet konferenca. Ai tha se vendimi për të marrë pjesë mbështetej në nismën arabe për paqen që rifilkoi në Riad para disa muajsh. Propozimi arab i ofron Izraelit marrëdhënie normale me të gjitha shtetet arabe në këmbim të tërheqjes së Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara në luftën arabo-izraelite të vitit 1967. Izraeli e hodhi poshtë ofertën kur u propozua në fillim në vitin 2002, por së fundmi ka thënë se mund të përbëjë një bazë për negociata.

Në një vizitë në Kajro të mërkurën, kryeministri izraelit Ehud Olmert tha se ai e merr shumë seriozisht këtë iniciativë. Ai tha gjithashtu se shpreson që të mund të arraihet në një marrëveshje paqeje në vitin 2008. Por ai tha se një marrëveshje e mundshme mund të mos zbatohet menjëherë në praktikë. Takimi i Anapolisit ka si objektiv rigjallërimin e procesit arabo-izraelit të paqes që ka ngrirë prej afro shtatë vjetësh.

Washingtoni ka bërë përpjekje për një pjesëmarrje të gjerë dhe ka ftuar të paktën 40 vende. 12 vende arabe, përfshirë Libanin dhe Sirinë janë pjesë e një komisioni që u ngrit para disa muajsh për të punuar për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Negociatorët izraelitë dhe palestinezë nuk kanë arritur të bien dakord për një deklaratë të përbashkët që do të shërbente si bazë për konferencën e Anapolisit dhe për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Një zyrtar palestinez tha se ka mundësi që këto bisedime të vazhdojnë në Shtetet e Bashkuara para se të fillojë konferenca javën e ardhshme. //rd//

XS
SM
MD
LG