Lidhje

Kameron mbështet administratën Bush për pavarësinë e Kosovës


Në vizitën e tij të parë në Uashington si udhëheqës i Partisë Konservatore të opozitës në Britaninë e Madhe, David Kameron paralajmëroi dje se pasiguria për statusin përfundimtar të Kosovës mund të çojë në destabilizimin dhe rifillimin e dhunës në Ballkan. Zoti Kameron ishte i ftuar në Institutin Brookings për të diskutuar për zhvillimet në Ballkan dhe sfidat për stabilitetin në rajon.

Të mërkurën bisedimet mes udhëheqësve shqiptarë dhe atyre serbë për statusin e Kosovës përfunduan pa rezultat.

Palët nuk lëvizën nga pozitat e tyre lidhur me çështjen e Kosovës dhe komentet e një prej anëtarëve të Treshes ndërmjetësuese treguan se Kosova ka të ngjarë të shpallë në mënyrë të njëanëshme pavarësinë nga Serbia pas 10 dhjetorit, që është edhe afati i Treshes për t’i dorëzuar raportin Sekretarit të Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Zoti Kameron bëri thirrje që Rusia dhe palët në konflikt të bëjnë zgjedhje të përgjegjëshme.

"Deri në Krishtlindje mund të shpërthejë një krizë e re në Ballkan, tha zoti Kameron. Kjo do të ishte kërcënim derekt për sigurinë tonë kombëtare, prandaj duhet të marrim masa vendimtare për ta parandaluar atë. Ne duhet të forcojmë edhe më tej praninë tonë në rajon duke vendosur forca operative të NATO-s për të shmangur trazira në të ardhmen. Ne duhet të ndërmarrim veprime diplomatike për t’i dërguar një mesazh të qartë Presidentit Putin se ne presim nga Rusia të luajë një rol të përgjegjëshëm. Po ashtu duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë udhëheqësve politikë në Ballkan se edhe ata duhet të bëjnë një zgjedhje të përgjegjëshme”.

Zoti Kameron kritikoi gjithashtu veprimtarinë diplomatike të kohëve të fundit të Rusisë në Ballkan.

"Mënyra se si Moska e ka inkurajuar Beogradin të intensifikojë retorikën në gjashtë muajt e fundit ka çuar në ngritjen e tensionit. Për këtë çështje ashtu si dhe për të tjera, Rusia duhet të vendosë se çfarë fuqia do që të jetë ajo dhe ku janë interesat e saj. Më parë Rusia ka shfrytëzuar lidhjet me aleatin e tij sllav në Ballkan për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, por tani duket se ajo po i shfrytëzon këto lidhje për t’i acaruar ato”.

Zoti Kameron mbështeti thirrjen e administratës së Presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës dhe tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane duhet të mbajnë një qendrim të vendosur ndaj Serbisë.

Ai paralajtësoi se Serbia nuk duhet të lejohet të prishë stabilitetin në zona të tjera të rajonit të Ballkanit ashtu siç është përpjekur të minojë aspiratat e Kosovës për pavarësi.

Kryetari i Partisë Konservatore të opozitës në Britaninë e Madhe, David Kameron, theksoi se çelësi i zgjidhjes së problemit është një politikë e bashkërenduar mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian. //iç//

XS
SM
MD
LG