Lidhje

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu viziton Shkupin


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu po qëndron për vizitë në Shkup, vizita e parë e tij si president në Maqedoni. Ai u takua me kolegun e tij Branko Cërvenkovski, zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë dhe drejtues të partive politike.

Presidentët Sejdiu dhe Cërvekovski pohuan se bashkëpunimi midis dy vendeve mund të zhvillohet në shumë fusha, si ato të ekonomisë po ashtu edhe të sigurisë. Natyrisht procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës duket se ka mbizotëruar takimin.

Maqedonia si fqinj i drejtpërdrejtë është shumë e interesuar që ky proces të gjejë një zgjidhje me qëndrueshmëri të përhershme. Presidenti Sejdiu tha se Maqedonia ka dëshmuar gatishmërinë në mbështetjen e saj për popullin dhe për institucionet e Kosovës, ndërkohë që e shikon si të një rëndëise të posaçme përkrahjen për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.

Presidenti Cërvenkovski përsëriti qëndrimin e njohur në mbështetje të planit të Ahtisaarit dhe vazhdimin e bisedmieve midis Prishtrinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e treshes ndërkombëtare. Dhe nëse ndodh që statusi nuk zgjidhet në OKB atëherë Maqedonia thote se do të ndjekë hapat e Natos dhe të BE-së.

Presidenti maqedonas Branko Cërvenkovski tha se vendi i tij nuk do të jetë i pari i cili do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se nuk do ta paragjykoje vendimin e Natos dhe BE-së por t’i ndjekë politikat e tyre. Zoti Cërvenkovski shpreson se BE-ja do të ketë një qëndrim unik për këtë çështje dhe se kjo do të shpallet së shpejti. Zoti Sejdiu vlerëson se popullata shqiptare në Maqedoni është një faktor i rëndësishëm i integrimit dhe aktiviteteteve të këtij shteti të përbashkët. Ai pret që çështja e Kosovës të përfundojë shumë shpejt pas raportimit të treshes ndërkombëtare, për t’u përmbyllur çështja e vetme e pa mbyllur e rajonit. Zoti Cërvenkovski tha se Kosova është e gatshme të reflektojë marrdhënie të mira në të ardhmen midis Kosovës dhe Serbisë dhe popujve të dy vendeve.

Presidenti Sejdiu u takua edhe me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, me kryeministrin dhe me drejtues të partive politike. //rd//

XS
SM
MD
LG