Lidhje

Treshja ndërkombëtare i jep fund vizitës në Beograd dhe në Prishtinë


Treshja ndërkombëtare i dha fund vizitës në Beograd dhe në Prishtinë ku paraqiti çështjet që do të përfshihen në raportin i cili do t'u dorëzohet Grupit të Kontaktit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Treshja shprehu keqardhje që mes palëve nuk u arrit dot marrëveshje por theksoi se procesi ishte i dobishëm.

I dërguari i Bashkimit Evropian Wolfgang Ischinger tha se Treshja beson se ky ishte një proces serioz dhe intensiv me angazhimin dhe përkushtimin e të dyja palëve.

Ai tha se zotimi se nuk do të lihet gur pa u lëvizur në kërkim të një marrëveshjeje është përmbushur dhe Treshja shpreh keqardhje që marrëveshja nuk u arrit. Megjithatë, tha ai, procesi ishte i dobishëm. “Ne morëm një zotim nga të dyja palët për të shmangur përdorimin e dhunës. Kjo është shumë e rëndësishme për rrugën përpara,” tha zoti Ishinger.

Raporti i treshes nuk do të paraqesë asnjë propozim të ri që nuk është shpjeguar gjatë procesit. I dërguari amerikan Ambasadori Frank Wisner tha ndërkaq se mandati i treshes është i qartë. Puna e Treshes ka përfunduar, pavarësisht se statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur. "Ne ndërmjetësuam bisedimet. Gjatë bisedimeve, ne shqyrtuam me kujdes bashkë me palët çdo alternativë të arësyeshme që do të hapte rrugën për gjetjen e pikave të përbashkëta. Këto pika të përbashkëta nuk u gjetën gjatë këtyre 120 ditëve. Në mbarim të punës sonë, kur të ketë përfunduar raporti, ne do të përshkruajmë atmosferën dhe diskutimet mes palëve dhe do të vemë në dukje se nuk u gjetën pika të përbashkëta. Çështja tani i kthehet komunitetit ndërkombëtar dhe palëve për të vendosur rrugën e tyre kombëtare për të ecur përpara. Puna e Treshes mbaron me hartimin dhe paraqitjen e raportit,” tha zoti Wisner.

Për të dërguarin e Rusisë Alexandër Botsan Khartchenko palët nuk kanë mundur të arrijnë zgjidhje përmes kompromisit por kjo periudhë, sipas tij, nuk ka dështuar. Ai tha se palët janë angazhuar në mënyrë serioze dhe konstruktive gjatë tërë bisedimeve ndërsa shprehu besimin se bisedimet kanë mundësi për të vazhduar dhe ka hapësirë për kompromis.

Por, ambasadori Wisner tha se gjatë tërë procesit janë shqyrtuar të gjitha mundësitë e arsyeshme për të gjetur marrëveshje, por kjo nuk është arritur, ndërsa kolegu i tij Ischinger tha se mandati i treshes përfundon më 10 dhjetor dhe është e paarsyeshme për të që të spekulojë se çfarë do të bëjnë qeveritë pas asaj date.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha ndërkaq se delegacion i Prishtinës ka bërë të gjitha përpjekjet për një zgjidhje por fatkeqësisht nuk u arrit një gjë e tillë. “Ne e quajmë këtë proces të mbyllur dhe nuk ka nevojë për procese të tjera. Pozicioni ynë është i njohur,” tha Presidenti Sejdiu.

Kosova, tha ai, është e gatshme t'i marrë përgjegjësitë e saj për ndërtimin e një shteti modern e demokratik për shumicën dhe pakicat.

Presidenti Sejdiu nënvizoi se propozimi i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari është një zgjidhje e mirë dhe optimale dhe Prishtina pret që treshja ta marrë parasysh këtë qëndrim.

Treshja Ndërkombëtare mori përsipër procesin e zgjidhjes së statusit pas dështimit të Këshillit të Sigurimit për të arritur një konsensus si rezultat i kundërshtimit rus ndaj planeve për t'i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur. //ii

XS
SM
MD
LG