Lidhje

Kosova në qendër të takimit të NATO-s


Kosova ishte një nga temat qendrore në takimin e djeshëm të NATO-s, e cila po dje konfirmoi zyrtarisht se do të ruajë nivelin aktual të forcave atje. Por sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice tha se shtyrja e vendimeve për Kosovën nuk do ta ndihmonte stabilitetin në Ballkan, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer theksoi se KFOR-i ka përgjegjësinë të ruajë stabilitetin në Kosovë. Rusia reagoi me zemërim ndaj qëndrimit të perëndimit dhe paralajmëroi për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zonja Rice i bëri komentet dje në një konferencë shtypi në Bruksel, pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, të cilët shprehën vendosmërinë për të ruajtur një prani të fortë në Kosovë.

“Nëse nuk merret parasysh realiteti i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, kjo nuk do të çonte drejt stabilitetit në Ballkan. Nuk do ta ndihmonte stabilitetin shtyrja e vendimeve të cilat sado të vështira që mund të jenë, do të duhen të merren”.

Zonja Rice i bëri komentet ndërkohë që NATO-ja po përgatitet për t’i bërë ballë çdo shpërthimi të mundshëm dhune në Kosovë, tani që bisedimet me ndërmjetësimin ndërkombëtar për të ardhmen e saj duket se janë shterruar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha se Aleanca është e vendosur t’i mbajë trupat e saj në Kosovë edhe pas 10 dhjetorit, afati zyrtar i përfundimit të bisedimeve rreth statusit të Kosovës.

“KFOR-i ka një detyrë shumë të rëndësishme dhe një përgjegjësi të madhe si ndaj pakicës, edhe shumicës që çdo gjë që bëhet të bëhet në klimën e stabilitetit dhe sigurisë. Askush nuk duhet të ketë as iluzionin më të vogël se nxitja e dhunës është një alternativë në Kosovë. KFOR-i në bashkëpunim me forcën e policisë në Kosovë dhe policinë e UNMIK-ut është e përgatitur për çdo skenar”.

Zonja Rice tha gjithashtu se ishte e inkurajuar nga angazhimi i aleatëve të Natos për të qënë gati për çdo situatë në Kosovë. Ajo tha se kishte gjetur një mirëkuptim se mes aleatëve është e nevojshme të ketë unitet ndërkohë që siç u shpreh ajo, “po hyjmë në një periudhë që padyshim do të jetë e vështirë”.

Takimi i ministrave të jashtëm u dërgoi gjithashtu një mesazh të tërthortë shqiptarëve që të mos bëjnë një deklaratë të njëanëshme për shpalljen e pavarësisë, tani që ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk kanë arritur ndonjë rezultat në bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje të ndërmjetësuar mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov tha se nëse Kosova e shpall pavarësinë në mënyrë të njëanëshme, reagimi rus do të ishte i bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe nxiti edhe pjestarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar që të mbajnë të njëjtin qendrim.

“Ato vende që mbështesin një veprim të njëanshëm të Kosovës drejt pavarësisë, shkelin ligjet ndërkombëtare të vendosura nga Akti i Helsinkit. Ato duhet ta shqyrtojnë edhe një herë seriozisht faktin se janë duke ecur në një tatëpjetë ku mund të rrëshqasin, duke krijuar një precedent për rajone të tjera separatiste dhe kjo nuk do të ndihmonte në qendrueshmërinë e kësaj pjese të Europës.”

Në fillim të kësaj jave, zoti Lavrov akuzoi vendet perëndimore se duke mbështetur pavarësinë po i pengojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje me negociata. Zoti Lavrov bëri thirrje për bisedime të mëtejshme ndërkombëtare.

Mosmarrëveshjet rreth Kosovës janë pjesë e një sërë mospajtimesh të tjera mes NATO-s dhe Rusisë, të cilat kanë bërë që marrëdhëniet e tyre të keqësohen ndjeshëm gjatë këtij viti.//kk//

XS
SM
MD
LG