Lidhje

Rusia vë në zbatim moratoriumin për Traktatin e Forcave Konvencionale


Rusia vuri në zbatim moratoriumin për pjesëmarrje në një traktat të rëndësishëm armësh të Luftës së Ftohtë, por tha se do të vazhdojë bisedimet me partnerët perëndimorë për ta rifilluar atë.

Ministria e jashtme, në një deklaratë të publikuar sot, e quajti moratoriumin mbi Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë si përgjigje të atyre që ajo i quajti rrethana të veçanta, të lidhura me përmbajtjen e tij dhe zgjerimin e NATO-s.

Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë i bëri thirrje Rusisë që ta rishikojë këtë vendim. Ministri i jashtëm spanjoll Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës në këtë organizatë, e quajti traktatin si gurthemel të stabilitetit në Evropë për më shumë se 15 vjet.

Në Bruksel, aleatët e NATO-s shprehën keqardhje ndaj vendimit të Rusisë dhe premtuan të vazhdojnë t’u përmbahen detyrimeve të tyre ndaj këtij pakti. Bashkimi Sovjetik dhe NATO-ja e nënshkruan traktatin për kufizimin e dislokimit të armëve konvencionale në vitin 1990. Ata e rishikuan këtë traktat pas rënies së Bashkimit Sovjetik. //rd//

XS
SM
MD
LG