Lidhje

Ylli Pango: Zhvillimi i një turizmi të larmishëm për jugun e Shqipërisë


Në Shqipëri, një studim mbi rivierën e Jugut përcakton në mënyrë të hollësishme drejtimin e zhvillimit turistik të të gjithë zonës duke përcatuar vendet ku duhet ndërhyrë, kriteret e ndërtimeve, dhe llojet e strukturave turistike. Ministri shqiptar i Turizmit Ylli Pango thotë për Zërin e Amerikës se i është rekomanduar zhvillimi i një turizmi të larmishëm. Sipas tij studimi do të mund t’i hapë rrugë investimeve të mëdha në një nga pjesët më të bukura të bregdetit shqiptar.

Riviera e jugut të Shqipërisë, e mbetur ende në pjesën dërrmuese të saj e paprekur, ka shansin që t’i shpëtojë barbarisë së betonit dhe ndërtimeve pa kriter që kanë masakruar në këto vite pjesën e bregut të Adriatikut dhe veçanërisht atë të Durrësit.

Një studim i specializuar është hartuar për të gjithë bregdetin e Jonit duke përcaktuar standartet e zhvillimit turistik, kriteret, tipin, vendet dhe llojet e ndërtimeve dhe strukturave turistike. Studimi, i financuar nga Banka Botërore, aktualisht është në fazën e konsultimeve të fundit dhe pritet të përfundoje pas pak javësh. Sipas Ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Ylli Pango, një hartë e hollësishme është përcaktuar nga studimi me vendet ku nuk duhet ndërtuar dhe kriteret specifike.

"Zonat me pjerrësi mbi 30 përqind, 100 metra distancë nga bregu, lartësia e ndërtimeve tre katëshe, mos prekja e zonave të monumenteve të kulturës dhe atyre mjedisore që duhet të ruhen siç janë dhe shumë kushte të tjera janë përcaktuar përmes njollave në hartën turistike të rivierës. Si përfundim del se ku nuk duhet ndërtuar dhe ku duhet ndërtuar, pra aty ku nuk kërcënohen këto kritere që përcaktojnë edhe standartet ndërkombëtare të zhvillimit të turizmit."

Ministri shpjegon se ai ka kërkuar që studimi të ofrojë në formë rekomandimesh edhe llojin e strukturave turistike që do të duhet të ngrihen në vende të caktuara. Zoti Pango thotë se nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit i është rekomanduar që Shqipëria të mos ndjekë modelin e fqinjëve të saj malazez apo atyre kroatë.

"Ne duhet të zhvillojmë larmi turizmi, që të kemi dhe turizmin e standarteve të larta dhe atë të nivelit mesatar, të kemi edhe ekoturizmin edhe turizmin e interesit të veçantë apo aventurës që është shumë i zhvilluar sot në botë, por të kemi edhe elementë të turizmit kulturor. Jugu veç bukurive natyrore ka dhe mjaft monumente kulture. Të gjitha këto mund të alternohen duke dhënë një larmi lloje turizmi. Pasi modelet e turizmit të fqinjëve, përsëri këtu citoj sekretarin e përgjithshëm, janë modele që kanë shkuar me sukses deri në një farë vendi, por në një moment të caktuar ka një mbingopje me një turizëm që është i përqëndruar tek deti dhe rëra, pasi të tillë ka pothuajse në shumë vende të botës".

Ministri shprehet se tashmë i hapet rruga investimeve të mëdha e serioze në fushën e turizmit pasi ofertat nuk kanë munguar. Një element i rëndësishëm sipas tij është edhe fakti se sipas tij tashmë janë dhënë edhe fondet për infrastrukturën rrugore të bregut.

Por a rrezikojnë të krijojnë probleme çështjet e pronësisë siç ka qenë rasti i projektit të një kompleksi turistik në Kakome? Zoti Pango thotë se studimi ndihmon edhe vetë banorët e zonave dhe komunat e tyre.

"Duke zbatuar këtë plan që është në të mirën e tyre, në të mirën e zhvillimit të bregdetit të jugut, mund të ndërtojnë në bazë të kërkesave, mund të thithin investitorë, mund të bashkëpunojnë me ta kur kanë fuqi investuese, por e vetmja gjë që nuk duhet të bëjnë është ta lenë bregun të shkretë, sepse ne nuk kemi luksin as të kthejmë investitorët mbrapsht, as të lëmë një breget të mrekullueshëm si ai i jugut, ende djerrë".

Për vitin e ardhshëm ministria do të nisë edhe një fushatë publicitare, me spote që do të transmetohen në CNN me logon “Shqipëria kjo dashuri e re mesdhetare.” //bsa//

XS
SM
MD
LG