Lidhje

SHBA: Shitësit dhe pazaret e minutës së fundit para Krishtlindjeve


Analistët e biznesit në Shtetet e Bashkuara thonë se njerëzit mund të shpresojnë të bëjnë pazare të mira në orët që mbeten deri në Krishlindje. Shumë dyqane kanë në plan të qëndrojnë hapur deri në orët e vona dhe gati të gjitha dyqanet ofrojnë ulje të mëdha çmimesh në minutat e fundit për t’i nxitur konsumatorët të blejnë sa më shumë.

Në të gjitha dyqanet në mbarë Amerikën, shifrat flasin vetë. Dyqanet kanë zbritje 10, 25, 40 deri në 50 përqind. Dhe sikur kjo të mos të mjaftonte – disa dyqane i ulin çmimet edhe kur ti shkon paguan. Analistja Wendy Liebman thotë se shumë dyqane po bëhen më krijues në prag të Krishlindjes. "Nuk është vetëm fakti që janë minutat e fundit të pazarit. Është fakti se sezoni ka qënë i vështirë kështu që ka shumë presion mbi të gjithë shitësit".

Me trafikun e rënë në komplekset e dyqaneve me 14 përqind krahasuar me vitin e kaluar, disa shitës i kanë ndryshuar oraret. Shumë hapen herët në mëngjes dhe qëndrojnë hapur deri vonë për të kapur më shumë blerës.

Disa kategori dyqanesh që zakonisht i ulin çmimet vetëm pas Krishlindjeve kanë qysh tani ulje, në lojrat apo produktet elektronike. "Ka shumë çmime me leverdi në të gjitha dyqanet në se e bën pazarin me kujdes", thotë Wendy.

Disa analistë thonë se konsumatorët kanë qënë më të rezervuar këtë vit nga rënia e ekonomisë dhe të shqetësuar nga çmimet e larta të ushqimeve dhe karburantit. Një anketë e fundit e kompanisë Discover Financial tregon se 40 përqind e konsumatorëve nuk kishin filluar pazaret e festave ose nuk i kishin përfunduar ato.

Tërheqja e më shumë klientëve në komplekset e dyqaneve ditët para Krishlindjeve është shumë e rëndësishme për shitësit. Kompania që vëzhgon blerjet Shoppertrack thotë se shitjet nga 21 deri në 24 dhjetor, përbëjnë rreth 14 përqind të të gjitha shitjeve të fundvitit. //rd//

XS
SM
MD
LG