Lidhje

Ku është Osama bin Laden dhe cila do të jetë e ardhmja e al-Kaidës?


Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion fonde të mëdha në luftën kundër terrorit që nga 11 shtatori 2001, dhe shumë vende të botës i janë bashkuar luftës kundër terrorizmit pas sulmeve në vendet e tyre, kreu i al-Kaidës Osama bin Laden mbetet ende i lirë dhe organizata e tij terroriste nuk është mposhtur.

Bin Laden besohet se fshihet në zonën mes Afganistanit dhe Pakistanit dhe nuk është parë në publik prej vitesh. Megjithatë, herë pas here dalin mesazhe që vënë në lojë perëndimin.


Bruce Hoffman është analist për terrorizmin në Akademinë Ushtarake Amerikane. Ai thotë se arsyeja pse bin Laden dhe al-Kaida janë ende të fuqishëm është e thjeshtë.

“Tek Al-Kaida duket se ka një plan të tillë që edhe kur ne heqim qafe ndonjë komandant apo operativ të al-Kaidës, aty është gjithmonë dikush tjetër gati për t’i zëvendësuar ato.”

Analisti Hoffman thotë se al-Kaida rekruton militantë gjithë kohën. Ai thotë se ky grup ka shkuar në Irak sepse aty mund rekrutohet më shpejt për shkak të numrit të madh të të rinjve pa punë.

“Pikërisht ato vende në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore dhe Juglindore ku mesazhi i al-Kaidës ka ecur më shumë janë vendet me rini më të madhe.”

Al-Kaida nuk është e lehtë për t’u shkatërruar. Ajo nuk është e vendosur në një vend të caktuar dhe nuk përpiqet të marrë pushtetin në ndonjë vend. Por ata ndihmojnë organizata të tjera në përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin në vende të ndryshme, siç bënë me Talebanin në Afganistan, në Somali dhe Irak.

Suksesi i al-Kaidës, thotë Zuhair Humadi, këshilltar i zëvendës presidentit irakian, qëndron tek manipulimi i medias ndërkombëtare dhe përdorimi i internetit.

Analisti Bruce Hoffman thotë se shqetësohet për sulme të mundshme gjatë 10 muajve të ardhshëm para zgjedhjeve presidenciale. Por analisti Peter Bergen nga Fondacioni Amerika e Re thotë se nëse al-Kaida do të ishte në gjendje të bënte një sulm të tillë atëherë kjo do të kishte ndodhur me kohë. Ai thotë se shqetësohet më shumë për sulme në Evropë dhe që al-Kaida të mos vendoset në vende të tjera.

Megjithatë, al-Kaida thotë zoti Bergen nuk është pa të meta. Ata kanë bërë gabime strategjike duke vrarë myslimanë dhe tani nuk e gëzojnë mbështetjen e masave por vetëm të militantëve dhe ekstremistëve.

XS
SM
MD
LG