Sot, votuesit në shtetin e Ajoas mblidhen në salla konferencash nëpër lagje, shkolla, kafeteri dhe vende të tjera për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake të këtij viti. Këto takime që shënojnë që prej vitit 1972 fillimin e procesit zgjedhor në shkallë kombëtare, mund të përcaktojnë se kush do të jenë kandidatët e mundshëm për president si nga partia republikane, ashtu edhe demokrate.
Në Ajoa ka një mijë e 781 zona elektorale dhe banorët e këtij shteti që kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e këtij viti mund të shkojnë sot në takimet e partisë që preferojnë, në secilën nga këto zona.
Republikanët do ta zgjedhin kandidatin e tyre përmes votimit maxhoritar në çdo vend ku mbahen zgjedhjet paraprake. Demokratët do të ndahen në grupe sipas preferencave të kandidatëve dhe pastaj të përcaktojnë se cilët kandidatë kanë mbështetje të mjaftueshme për të vazhduar garën. Qytetarët që kanë mbështetur kandidatë që skualifikohen, mundet pastaj të kalojnë në grupet për kandidatë të tjerë. Në momentin kur një nga kandidatët ka fituar më shumë se gjysmën e votave në secilën prej konferencave, ai ose ajo shpallet fitues, ose fituese dhe rezultati dërgohet në selinë e Partisë Demokrate në Des Moines dhe u bashkohet rezultateve në shkallë shteti.
Norm Sterzenbach, që drejton takimet e votuesve për Partinë Demokrate në Iowa, i tha Zërit të Amerikës se delegatët e zgjdhur në këto takime, për të dyja partitë, nuk kanë detyrime teknikisht, por zakonisht mbështesin deri në fun kandidatin e tyre deri në fund të procesit.
“Preferencat e delegatëve natën e takimeve nuk janë detyruese. Por prirja është dhe të paktën kështu ka ndodhur vitet e fundit, që kur vjen koha për kuvendin kombëtar, ne e kemi të qartë se cili do të jetë kandidati. Kështuqë kemi një votë unanime për atë kandidat pavarësisht sesi ka dalë në votimet paraprake në Iowa”.
Më e rëndësishme sesa mbështetja e siguruar nga kandidatët në këtë rast është ideja e shtysës që krijohet për një kandidat, ose duke fituar drejtpërdrejt, ose që pothuajse ka fituar. Në votimet paraprake të demokratëve në vitin 2004, për shembull, fitorja e Senatorit John Kerry në Iwoa, i dha atij një shtytje të fuqishme duke e bërë të fitonte në zgjedhjet paraprake në shtetet e tjera, duke i garantuar atij emërimin e partisë së tij.
Shumë shtete më të mëdha e kanë kritikuar statusin e Iowas në procesin e zgjedhjeve presidenciale, duke vënë në dukje se ky shtet relativisht i vogël në qendër të Amerikës nuk përfaqëson siç duhet pjesën tjetër të vendit. Por banorët e shtetit të Iowas e mbrojnë me forcë statusin e tyre dhe Norm Sterzenbach thotë se kjo është një nga temat p-për të cilën bien dakord si republikanët, ashtu edhe demokratët.
“Ajo që mund të bëhet në Iowa është që si shtet i vogël, kandidatët mund të vijnë dhe të flasin me banorët kokë më kokë. Përveç kësaj, delegatët i njohin çështjet, i njohin kandidatët. Pjesëmarrësit që shkojnë në takime, natën e votimeve paraprake jo vetëm e dinë se çfarë qëndrimi kanë kandidatët për çështje të ndryshme, por edhe se çfarë qëndrimi ata kanë për tema që u interesojnë atyre veçanërisht”.
Në Kongres ka pasur propozime për të ngritur një sistem rotacioni për zgjedhjet paraprake dhe konferencat për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që pjesë të ndryshme të vendit të kenë mundësinë të votojnë her pas here të parët. Por shumë kandidatë që kanë marrë pjesë në proces thonë se tradita duhet ruajtur sepse u jep kandidatëve që nuk kanë një infrastrukturë shumë të zhvilluar një shans që të shprehin idetë e tyre drejtpërdrejt para votuesve në një mënyrë që do të ishte e pamundur në shtete me popullsi më të mëdha.//kk//