Lidhje

BE, thirrje Serbisë të mos e lidhë anëtarësimin me Kosovën


Një zyrtare e lartë e Bashkimit Evropian i bëri thirrje Serbisë që të mos i lidhë aspiratat e saj për marrëdhënie më të ngushta me BE-në me rolin e Bashkimit në të ardhmen në Kosovë.

Zëdhënësja e komisionerit të Bashkimit Evropian për zgjerimin, Kristina Nagi, u tha sot gazetarëve se zyrtarë të BE-së dhe përfaqësues serbë e filluan marrëveshjen e tyre për shtimin e marrëdhënieve si partnerë të barabartë, pa paragjykime rreth statusit të ardhshëm të Kosovës.

Zonja Nagi i bëri këto komente në përgjigje të paralajmërimeve të kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, javën e kaluar, i cili tha se Bashkimi Evropian duhet të zgjedhë midis marrëdhënieve më të ngushta me Serbinë ose planeve të tij për të dërguar një mision policor e sigurimi në Kosovë. Udhëheqësi serb këmbënguli se dërgimi i një misioni të tillë do të shfuqizonte marrëveshjen, të cilën udhëheqësit e BE-së shpresojnë të nënshkruhet më 28 janar nga zyrtarët serbë e ata evropianë.//lk

XS
SM
MD
LG