Lidhje

Shqipëri: Gjyqtarët krijojnë shoqatën për të kontribuar në reformat


Një grup gjyqtarësh dhe juristësh të njohur shqiptarë themeluan në Tiranë Shoqatën Kombëtare të Gyqtarëve, një përpjekje e re për të përmirësuar situatën kritike në sistemin e drejtësisë, të mbingarkuar nga paaftësia dhe korruspioni.

Një nga anëtarët e grupit nismëtar, gjyqtari Kastriot Selita, tha se shoqata do të ndihmojë në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në ngritjen e dinjitetit të gjyqtarëve. “Krijimi i Shoqatës së Gjyqtarëve ka për të luajtur një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e zërave të cdo gjyqtari në një zë të vetëm, përsa i përket një roli më aktiv të gjyqtarëve në të gjitha reformat që janë në proces. Shoqata e Gjyqtarëve do të ketë si qëllim të saj konsolidimin, ruajtjen dhe forcimin e pavarësisë së gjyqtarëve” - tha zoti Selita.

Grupi nismëtar i Shoqatës së Gjyqtarëve diskutoi me shqetësim lidhur me perceptimin që ka opinioni publik për një nivel të lartë korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

Gjyqtari Gjin Gjoni, tha se shoqata do t’i japë propozimet e veta edhe për ndryshimet e legjislacionit të drejtësisë. “Besoj që në këtë moment kur ka nisur reforma është e nevojshme që edhe ne të jemi pjesë e kësaj reforme, sepse po bëhen ndryshime në legjislacion, po mblidhen grupe parlamentare, po ftohen grupet e interesit dhe gjyqtarët nuk po i fton askush, sepse nuk kanë një zë, nuk kanë një përfaqësim."- tha ai.

Krahas korrupsionit, një temë tjetër ishte ndërhyrja e politikës në pavarësinë e gjyqësorit. Gjykatësi i njohur Rahman Qinami, tha në mbledhjen themeluese të shoqatës, se sistemi i drejtësisë duhet të kujdeset vetë për pavarësinë dhe pastërtinë e tij. “Ndonëse pak të vonuar, por jemi ende në kohë për të bërë plot gjëra të mira, për të rritur autoritetin e gjyqësorit dhe të gjyqtarit, për të ruajtur figurën e gjyqtarit, për ta përsosur atë më tej, për të ruajtur gjithë punën e gjyqësorit dhe për t’i thënë ndal ndikimeve paligjshme të pushteteve të tjera”- tha zoti Qinami.

Reformimi i sistemit të drejtësisë është një nga kërkesat kryesore të opinionit publik shqiptar dhe organizmave ndërkombëtare. Sipas raportimeve më të fundit të Transparency International, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është një ndër më të korruptuarit, krahas shëndetësisë dhe tatimeve. //ii

XS
SM
MD
LG