Lidhje

Thaçi: Patriotizmi më i lartë i shqiptarëve - respektimi i të drejtave të pakicave


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u bëri thirrje sot pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos kenë frikë nga statusi i Kosovës por të bëhen pjesë e procesit politik dhe të integrohen në institucionet e vendit, ndërsa bashkëkombësit e tij i porositi se patriotizëm është mbrojtja e të drejtave të pakicave.

Në një paraqitje në qendrën mediale në fshatin Çagllavicë afër Prishtinës i banuar me shumicë serbe ai tha se qeveria e tij do të garantojë të drejtat e komuniteteve sipas propozimit të krye negociatorit Martti Ahtisaari, i cili ka propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.

Kryeministri Thaçi tha se Kosova së shpejti do të jetë e pavarur dhe statusi i saj do të jetë në funksion të një jete më të mirë për të gjithë. “Statusi nuk është diçka që duhet të sjellë frikë për asnjë komunitet në Kosovë, përkundrazi hap perspektivë për të gjithë", theksoi kryeministri Thaçi. Ai tha se vendimi për shpalljen e pavarësisë do të merret në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ndërsa javën e ardhshme do të jetë në Bruksel për të debatuar me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian për të ardhmen e Kosovës dhe misionin e këtij bashkimi në Kosovë.

Kryeministri Thaçi tha se qeveria e tij do të punojë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare në bazë të propozimit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Ai tha se qeveria e tij garanton të drejtën e çdo qytetari të Kosovës për të jetuar në shtëpitë e tyre. “Do të jemi dhe do të punojmë së bashku për ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët. në po ndërtojmë tash identitetin kosovar të demokracisë qytetare”. Ai u bëri thirrje edhe bashkëkombësve të tij shqiptarë për kujdes ndaj pakicave kombëtare. “E potencoj se patriotizmi më i lartë sot i shqiptarëve është respektimi dhe garantimi i të drejtave të minoritarëve", tha ai.

Kryeministri Thaçi u shpreh sot i bindur në mbështetjen e gjerë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, ndërsa tërhoqi vërejtjen se deklarimet e përfaqësuesve rusë se nuk do të lejojnë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara janë deklarime të nxituara që nuk i sjellin mirë as Kosovës e as rajonit. //rd//

XS
SM
MD
LG