Lidhje

Serbi: Sot raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale


Sot në Serbi mbahen zgjedhjet presidenciale, ku votuesit do të zgjedhin mes nëntë kandidatëve në garë njeriun që do të jetë në krye të shtetit gjatë pesë viteve të ardhshme. Duke pasur parasysh që asnjëri nuk parashikohet të fitojë shumicën, një raund i dytë pritet mes dy kandidatëve me më shumë vota më 3 shkurt:

Analistët parashikojnë që presidenti aktual Boris Tadic dhe udhëheqësi i partisë radikale Tomislav Nikolic do të fitojnë numrin më të madh të votave. Sipas sondazheve, zoti Nikolic gëzon një mbështetje prej 21 për qind dhe zoti Tadic 19 për qind.

Banorët që pritet të votojnë sot shprehën dje pranë një super-marketi në Beograd, pikëpamje të ndryshme.

“Unë nuk do të votoj për Presidentin Tadic, por e di që ai do të fitojë në raundin e dytë”.

“Do të isha i lumtur sikur të fitonte dikush me prirje pro-evropiane, por më duket se kjo nuk është e mundur. Tadic do të fitojë por mua nuk më pëlqen kjo”.

“Nikolic, ndoshta. Nuk e di. Presidenti im është Boris Tadic”.

“Mendoj se në raundin e parë, do të fitojë Nikolic, por tek i dyti. Tadic ka më shumë mbështetje nga serbët që jetojnë jashtë Serbisë”.

Serbët që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Britani, Gjermani dhe Amerikë, kanë të drejtën të votojnë për zgjedhjet presidenciale.

Këto votime konsiderohen si një zgjedhje mes nacionalizmit radikal, përfaqësues i së cilit është zoti Nikolic dhe një orientimi më të moderuar pro-evropian, të mbështetur nga zoti Tadic. Kandidatët kryesorë e koundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, ndërsa shumica shqiptare pritet të shpallë pavarësinë javët e ardhshme.

Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve nuk pritet të jetë më shumë se 50 për qind. Këto janë zgjedhjet e para që mbahen pas miratimit të Kushtetutës së re serbe, që hyri në fuqi pasi Mali i Zi u shkëput nga Serbia në vitin 2006.//kk//

XS
SM
MD
LG