Lidhje

Kequshqyerja shkakton frenim të zhvillimit të trurit tek fëmijët


Vlerat ushqyese janë një aspekt i lënë pas dore i shëndetit të nënës dhe fëmijës në gjithë botën, sipas një studimi të botuar këtë javë nga revista mjekësore britanike, The Lancet.

Periudha më kritike në jetën e një foshnjeje është që me krijimin embrionit e deri në moshën dy vjeçare. Ajo që i ndodh fëmijës gjatë këtij intervali mund të shërbejë si parashikim për shëndetin në të ardhmen, thotë Robert Black, kreu i Departamentit për Shëndetin Ndërkombëtar në Fakultetin për Shëndet Publik në Universitetin Johns Hopkins dhe autori kryesor i serisë së revistës Lancet. Ai përshkruan një gjendje pesimiste për foshnjat që kanë mangësi me vitaminat, që nuk janë ushqyer siç duhet apo fare me qumësht gjiri.

“Këta faktorë rrezikshmërie janë përgjegjës për mbi një të tretën, në fakt 35 për qind të vdekshmërisë foshnjore dhe 11 për qind të barrës globale të sëmundjeve”.

Zoti Black thotë se problemet e shendetit para lindjes, frenimi i rritjes, dhe kushte të tjera të këqija janë shkaktarë të vdekjes së 2.2 milion fëmijëve nën 5 vjeç. Edhe fëmijët që shpëtojnë nga sëmundje që nuk kanë lidhje me të ushqyerit vuajnë në mënyra të tjera.

Kequshqyerja shkakton frenim të zhvillimit të trurit, dobësimin e aftësive njohëse, përparim më të ngadaltë në shkollë dhe të ardhura më të pakta ekonomike në të ardhmen. Zoti Black thotë se këta fëmijë janë më të prirur që të vuajnë më pas nga tensioni i lartë, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

“Mesazhi kryesor këtu është se frenimi i zhvillimit në dy vitet e para të jetës shkakton pasoja të pariparueshme për jetën si të rritur. Dhe parandalimi i këtyre kushteve të kequshqyerjes të nënës dhe foshnjave do të ishte një investim afatgjatë në favor si të këtij brezi fëmijësh, ashtu edhe fëmijëve të tyre”.

Sipas raporteve të botuara në revistën Lancet, shumica e fëmijëve të kequshqyer jetojnë në vendet më të varfra të Afrikës dhe Azisë. Profesori Black thotë se studimet mbështesin me forcë argumentat për ndërhyrje, përfshirë ushqimin me gji, ushqime të përforcuara me vitaminë A dhe zinc dhe menaxhimin e rasteve të rënda të mosushqyerjes.

Profesor Black thotë se programet e ushqimit duhet të përqendrohen më shumë tek dy vitet e para të jetës. Ai vë në dukje se në vendet që u morën nën shqyrtim për studimet e revistës Lancet, kjo nuk ishte bërë. Sipas tij, problemi rëndohet edhe më tej, pasi programet për ushqyerjen vazhdojnë të vuajnë për financime.

Nga viti 2000 deri në vitin 2005, 300 milionë dollarë janë investuar çdo vit në programe për ushqime në gjithë botën, krahasuar me 5.7 miliardë dollarë çdo vit për studime dhe përpjekje për parandalimin e Sidës gjatë së njëjtës periudhë.

Kent Hill, ndihmës administratori për Shëndetin Global në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar thotë se shërbimet për ushqimin mund të luajnë gjithashtu një rol të jashtëzakonshëm për të mbështetur fushata më të gjera për shëndetin publik, veçanërisht në luftën kundër HIV-it dhe Sidës, malarjes dhe tuberkulozit.

“Aty ku gratë marrin vitaminat, acidin folik, apo kura terapeutike për rehidratimin dhe zinkun, ato mund të marrin edhe rrjetat për mushkonjat, apo mund të vaksinijnë fëmijët. Këto ndërhyrje duhet të ndërlidhen me njëra-tjetrën”.

Sistemet që vënë në dispozicion shërbimet e ushqimit shpesh mbësheten nga organizatat e donatorëve, institucionet akademike, shoqëria civile dhe sektori privat. Autorët e serisë së revistës Lancet thonë se ky sistem është i paorganizuar, jo funksional dhe ka nevojë për reforma të thella.

Një zyrtar i Bankës Botërore, Joy Phumaphi shton se nëse komuniteti global do që vërtet të bëjë ndryshime që t’i qëndrojnë kohës, duhet të ndërmarrë angazhime afatgjata për të përmirësuar arsimin, statusin ekonomik dhe pozitën politike të gruas. //bsa//

XS
SM
MD
LG